Shehu: Duhet forcë unike me mbështetje të gjerë
Deputeti i PD- së, Tritan Shehu, ka qenë ndër të parët që ka hedhur idenë e krijimit të një qeverie, që do të mundësojë çeljen e negociatave. Më 30 qershor, Shehu ka thënë se duhet të largohet Edi Rama dhe të krijohet një forcë unike që do të mundësojë hapjen e negociatave. “Kur rrëzohet objektivi kryesor për një vend, Kryeministri duhet të japë dorëheqjen. Që këtu fillon reflektimi, që kur çdo gjë mbulohet me sofizma, nuk mund të korrigjojmë provimin. Duhej që Kryeministri të jepte dorëheqjen, të krijohej një forcë unike në negociata me një program të qartë, me një mbështetje të gjerë. Qeveria është në një moment që duhet të justifikojë ikjen masive jashtë, këto janë shifra të frikshme. Nëse Rama i merr me shaka këto gjëra, do të thotë se nuk është për të shkuar në Europë. Nëse do të vazhdohet duke mos luftuar krimin, nëse do mbajnë modelet tona orientuese që janë nga lindja, nuk ia vlen të fillojmë këtë proces. Këto gjëra nuk ndryshohen pa dhënë dorëheqjen Kryeministri”, ka thënë ai.
Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rrokaj, ka mbajtur një qëndrim ndryshe kryetares së LSI- së, Monika Kryemadhi, duke propozuar ngritjen e një Qeverie Stabiliteti me bazë të gjerë me PS- në. Në një kohë që Kryemadhi shprehet kundër çdo bashkëpunimi me Partinë Socialiste, deputeti i kësaj force ka një qëndrim ndryshe. Ai shprehet se situata në vend është përkeqësuar dhe bëhet e pamundur zhvillimi i zgjedhjeve vendore. Ai përmend në reagimin e tij në “Facebook”, shtatë arsye pse duhet të krijohet nga Qeveri Stabiliteti. “Ja pse duhet një Qeveri Stabiliteti me bazë të gjerë. Reforma në Drejtësi ka paralizuar disa institucione kushtetuese dhe po jep shenja të dukshme njëanshmërie. Së dyti, mosndëshkimi i peshqve të mëdhenj që nga ministrat e deri te bosët e drogës, si rasti i Maminasit e i Toyota Yaris- is. Së treti, varfëria ekstreme, ku rreth 50% e popullsisë jetojnë me nën 5$ për frymë në ditë si dhe rritja e pabarazisë sociale. Së katërti, mungesa e investimeve të huaja serioze dhe tendenca në rritje e biznesit vendas për të investuar jashtë. Së pesti, përqendrimi i parasë publike te një grusht oligarkësh, duke deformuar rregullat e konkurrencës me skema e dyshimta si ajo e PPP- ve. Së gjashti, braktisja e vendit sidomos prej popullsisë aktive për shkak të papunësisë, rrogave të ulëta, rritjes së taksave dhe dëshpërimit që ka shpënë në mungesën e besimit”, shkruan Rrokaj. Më tej, sipas tij, një tjetër arsye është dhe mungesa e dialogut. “Së shtati, mungesa e dialogut politik prej arrogancës së maxhorancës dhe kontrolli i mediave nëpërmjet kapjes a presionit të saj mbi to. Në këto kushte, zgjedhjet vendore janë të pamundura”, shkruan ai. Qeveria e Stabilitetit me bazë të gjerë, sipas deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të mundësojë përgatitjen e zgjedhjeve të pakontestuara, zhvillimin e zgjedhjeve politike me ato vendore dhe do të mundësonin çeljen e negociatave. “Ndaj mendoj se përgjegjësia kombëtare duhet të prevalojë mbi egoizmin politik partiak dhe se pa humbur kohë është e nevojshme krijimi i një Qeverie të Stabilitetit, e cila do të kishte për mision: Të përmirësonte ndjeshëm treguesit e mësipërm, do të përgatiste zgjedhje të pakontestuara, ku zgjedhjet vendore të bëheshin njëkohësisht me ato politike si dhe do të krijonte kushte reale të besueshme për çeljen e negociatave”, shkruan Rrokaj.