Civici: Dhjetë breza të diplomuarish, UET flet me 9256 karriera
Civici: Sektori privat ka prodhuar të diplomuar shumë cilësorë, sot i gjen në poste drejtuese në biznese, korporata, institucione publike
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, prof. dr. Adrian Civici, tregon në këtë jubile për universitetin se ky është momenti kur ne bëjmë një bilanc për të parë se çfarë kemi përmirësuar, sa dhe si e kemi kuptuar rolin e universiteteve në formimin e profesionistëve cilësorë, formimin dhe edukimin e qytetarëve shembullorë.
Në vitin 2009, në ceremoninë e parë të diplomimit në Pallatin e Kongreseve, ju diplomuat brezin e parë të studentëve. 10 vjet më vonë, si ndiheni një ditë përpara kësaj ceremonie të 10- të?
Çdo ceremoni diplomimi është një eveniment i rëndësishëm, është një dalje para “pasqyrës akademike e profesionale” e universitetit për të vlerësuar veten, cilësinë dhe standardet e formimit akademik, profesional, shkencor e social të studentëve. Është momenti kur ne bëjmë një bilanc për të parë se çfarë kemi përmirësuar, sa dhe si e kemi kuptuar rolin e universiteteve në formimin e profesionistëve cilësorë, formimin dhe edukimin e qytetarëve shembullorë. Ne shohim ndryshimet dhe evolucionin që ka bërë UET- i në bazat e funksionimit të tij, në parimet kryesore, në ndjekjen e tendencave moderne të zhvillimit të universiteteve, rolit të tyre, marrëdhëniet me studentët, marrëdhëniet me tregun e punës dhe shoqërinë shqiptare, në mënyrë që ceremonia të mos jetë thjesht një listë përshëndetjesh apo fjalimesh, por të jetë një bilanc dhe përballje me standardet më të mira dhe më të domosdoshme që duhet të plotësojë një universitet. Ceremonia e diplomimit na përball me faktin që gjithë këta studentë të diplomuar në Bachelor, në Master edhe në Doktoraturë do fillojnë apo vazhdojnë karrierën e tyre, do jenë të bindur që vitet e kaluara në shkollë dhe diploma që ata kanë në dorë është ajo armë që i duhet për të pasur një karrierë të suksesshme, për të qenë të ditur, për të qenë të formuar dhe për të qenë të aftë e eficientë në tregun e punës. Ndihem i emocionuar edhe i kënaqur, sepse mjafton t’u referohem disa shifrave që tregojnë përmasat e UET- it në zgjerimin dhe shërbimet e tij akademike. Brenda 10 viteve kemi diplomuar 4363 studentë në Bachelor, 2323 në Master Profesional, 1706 në Master Shkencor, 528 në Master të Nivelit të Dytë dhe 336 studentë në nivel Doktorature. Pra, në total, në UET gjatë 10 viteve janë diplomuar në të tre ciklet 9256 studentë. Gjithkush, qoftë drejtues apo pedagog në UET, e kupton përmasën dhe efektet e punës së tij dhe përgjegjshmërinë që duhet të ketë në raport me këto shifra.
Këtë vit ka dy jubile, është 15- vjetori i sektorit privat dhe diplomohet brezi i 10- të i studentëve në universitetin tuaj. Si e vlerësoni praninë e sektorit privat, vendin që ka zënë në këto 15 vjet në Shqipëri?
Zhvillimi i sektorit privat në arsim ka qenë një risi pozitive për realitetin arsimor shqiptar, për arsye se sektori privat, përveç faktit që plotësoi një nevojë në formimin universitar dhe jo vetëm, por duke qenë edhe një sektor më i ri, futi metoda, koncepte dhe mënyra sjelljeje më bashkëkohore për sa i përket zhvillimit të mësimit, silabuseve, teksteve të përdorura, laboratorëve, ndërkombëtarizimit, programeve të kërkimit, programeve Erazmus, duke i dhënë një hop cilësor zhvillimit të arsimit në Shqipëri. Besoj se sektori privat është një sektor që ka prodhuar studentë dhe të diplomuar shumë cilësorë, që sot i gjen në poste drejtuese në biznese, korporata, institucione publike, politikë, art, kulturë, diplomaci, drejtësi, çka tregon për forcën dhe vitalitetin e këtij sektori dhe përgjegjshmërinë me të cilën jo vetëm që u ngrit, por dhe po vazhdon të konsolidohet dhe të funksionojë. Në këtë drejtim, mendoj që universitetet private kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut shumë pozitiv në të gjithë panoramën e arsimit shqiptar sot.
Në 10 breza diplomimesh, UET ka hedhur në treg studentë të diplomuar të disa cikleve të studimit, të disa lloje të diplomave, BA, Masteri i Nivelit të Parë, të Dytë etj.. Çfarë ju rezulton për përthithshmërinë e studentëve të UET për tregun e punës? A keni bërë një studim?
Në UET, një nga objektivat kryesore është bashkëpunimi i ngushtë me alumnit ose studentët që janë tashmë të diplomuar dhe nën traditën e shumë universiteteve perëndimore, në aktivitetin tonë të përditshëm, një pjesë të rëndësishme kemi marrëdhënien me alumnit, në sensin që universiteti, përveç bashkëpunimit të ngushtë me ta për projekte kërkimore e shkencore, për zgjerimin e universitetit, për pjesëmarrjen aktive në bordet e tregut të punës që kemi pranë çdo departamenti në UET, ne bëjmë dhe studime më të mirëfillta. Synojmë të shohim si ka qenë koha e punësimit të tyre, sa përputhet vendi i punës me diplomën që ata kanë marrë, si ka shkuar karriera e tyre në 10 vitet e para, si ka shkuar paga e tyre dhe shpërblimet në këto 10 vitet e para dhe mbi të gjitha, çfarë mendojnë bizneset, institucionet kudo ku ata punojnë, për cilësinë dhe standardet e tyre. Na rezulton që një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të vlerësuar në tregjet e punës, janë duke bërë një karrierë të shpejtë dhe të suksesshme dhe në shumicën e bizneseve, me të cilat ne kemi një lidhje të ngushtë në kuadrin e një programi specifik, të quajtur 250+, si dhe filozofisë së UET- it, “UET, universiteti i biznesit”, pra universitet në shërbim të nevojave të biznesit dhe tregut të punës, në vlerësimet që ata bëjnë për studentët rezulton se ata që kanë mbaruar UET janë të preferuar. Janë në vende pune të qëndrueshme dhe njëkohësisht kanë shfaqur dhe një cilësi më të veçantë, që janë kritikë dhe kreativë. Mendoj që kjo vjen përveç cilësive të tyre individuale, edhe nga mënyra se si ne e kemi organizuar procesin mësimor, procesin kërkimor dhe përgjithësisht angazhimin e studentëve në universitet.
Sistemi universitar shqiptar ka kaluar disa sfida, proceset e para të akreditimit, akreditimin anglez, procesin e seleksionimit dhe të mbylljes, cila mendoni që është sfida e re e sektorit privat, pas këtij 15- vjetori, në dekadën tjetër?
Pa dyshim që akreditimi përbën një nga momentet më të rëndësishme vlerësuese, kontrolluese, por edhe seleksionuese për sa u përket universiteteve, qofshin publike apo private. Dhe pas gjithë këtyre viteve, ne më në fund patëm një akreditim institucional të plotë të gjithë universiteteve, në kuadër dhe të akreditimit britanik, çka do të thotë se standardet me të cilat u vlerësuan universitetet ishin standardet më të mira të cilësisë, standarde të nivelit europian dhe ndërkombëtar. Fakti që një pjesë e universiteteve i kaluan me sukses si dhe fakti tjetër që shumë universitetet private ishin dukshëm me rezultate më të mira se universitetet publike, dëshmon edhe një herë seriozitetin dhe përgjegjshmërinë, të paktën flas për UET- in, si zhvillohet mësimi, ndërtohen programet, marrëdhëniet me studentët, zhvillohet procesi i ndërkombëtarizimit, zbatohet me korrektësi ligji për të pasur një universitet cilësor. Mendoj se të gjitha universitetet në Shqipëri, sfidën më të madhe sot kanë sfidën e cilësisë, sfidën e dobishmërisë, në raport me tregun e punës dhe shoqërinë shqiptare. Mund të kalosh akreditimin, mund të jesh në rregull edhe me një pjesë formale të zbatimit të ligjeve dhe rregullave, por cilësia e universiteteve është një fazë e dytë shumë më e rëndësishme.
A mendoni se debati, vendi dhe pozicionimi i sektorit të arsimit të lartë në shoqërinë shqiptare dhe raporti i universitetit publik dhe atij privat ka zënë vendin e vetë, është temë e përfunduar, temë në zhvillim e sipër, apo i mbetet të ardhmes për ta diskutuar?
Debati ka kaluar në disa faza. Disa elemente të debatit mund të quhen të ezauruara ose të tejkaluara sepse e kanë marrë përgjigjen, por si debat mendoj që mund të vazhdojë sepse gjithmonë ka çështje, të cilat mund të debatohen në emër të zgjidhjeve më eficiente: universitetet publike dhe ato private janë në konkurrencë me njëri- tjetrin, kanë ide të ndryshme për zhvillimin e sistemit universitar, për mënyrat e financimit, për marrëdhëniet me studentët, për marrëdhëniet me shtetin dhe qeverinë, për vizionin që ato kanë për rolin e universitetit në shoqëri. Debati i parë ka qenë relativisht i ashpër, por i domosdoshëm sepse duke qenë një sektor i ri, sektori privat, u ndesh me dilema e shumë paragjykime, nëse ishte një sektor i bërë vetëm për biznes, ishte një sektor që nuk premtonte cilësi, ishte një sektor që kishte shumë informalitet dhe shumë elemente të tjera. Gjatë debateve të këtyre viteve u provua që shumë nga këto pozicionime, konflikte ose polemika nuk ishin të qenësishme në thelbin e tyre. Ose ishin reminishenca të së kaluarës në mendimet për sektorin privat dhe sektorin publik, ose ishin pasojë e konkurrencës midis dy sektorëve, ose ishin thjesht frymëzime të ndryshme ideologjike që penalizonin njërën ose lavdëronin tjetrën. Pas 15 vitesh sektor privat, një pjesë e tyre janë tejkaluar dhe sektori privat i ka fituar ato beteja në këtë debat, sidomos betejën për cilësinë, betejën për standardet, për vizionin, për zhvillimin e universiteteve dhe rolin e tyre në shoqëri. Natyrisht, mendoj që në të ardhmen nuk ka asnjë të keqe që ky debat të vazhdojë sepse çdolloj debati evidenton mirë një problem, merr gjithë mendimet dhe ka një pjesëmarrje të gjerë jo vetëm të akademikëve, por përgjithësisht shoqërisë civile, politikës dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare dhe natyrisht, nëse fitohet një debat i tillë, do të thotë se një çështje është bërë më e mirë, është bërë më e plotë dhe një zgjidhje më cilësore është krijuar në këtë rast.