“Nga ndërtimi i 6 kullave, Rama do fitojë 205 mln euro”
Vokshi: Fitimi minimal për 1 kullë është 34.2 milionë euro
Deputetja e PD, Albana Vokshi, ka deklaruar dje se shembja e Teatrit Kombëtar është një projekt i kahershëm i Kryeministrit Edi Rama, që sipas saj, do të fitojë minimalisht 205 milionë euro nga ndërtimi i 6 kullave.
Në një konferencë për shtyp, Vokshi ka deklaruar dje se ekspertët kanë përllogaritur se vetëm për ndërtimin e një kulle do të fitohet minimalisht 34.2 milionë euro, por sipas saj, Partia Demokratike do të bëhet barrierë për të penguar grabitjen e kësaj prone publike. “Sipas përllogaritjeve të ekspertëve, fitimi minimal për 1 kullë është 34.2 milionë euro. Fitimi i planifikuar nga Edi Rama nëpërmjet skemës mafioze të grabitjes së pronës publike, duke shembur Teatrin për të ndërtuar 6 kulla, është të paktën 205 milionë euro. Transparenca jonë për këtë akt mafioz do të vazhdojë me këmbëngulje, pavarësisht tendencës së mediave kryesore në vend për të censuruar opozitën!”, ka thënë Vokshi.
TENTATIVAT Sipas selisë blu, tentativa e Edi Ramës për të shembur godinën e Teatrit nisi që në vitin 1998, por asokohe nuk u lejua nga protesta e artistëve. “Plani mafioz i Edi Ramës për të shembur Teatrin Kombëtar është një plan i hershëm dhe i mirëmenduar. Historiku që po prezantojmë sot, provon se prej 20 vjetësh Edi Rama është armiku kryesor i Teatrit dhe i artistëve. Që kur ka marrë pushtet në vitin 1998, kur u bë ministër Kulture, Teatri Ko- mbëtar dhe denigrimi i artistëve ka qenë në shënjestrën e Edi Ramës, i cili ka kryer veprime konkrete për shembjen e tij dhe betonizimin e qendrës historike të kryeqytetit”, tha dje Vokshi, e cila shtoi më tej se: “Edhe kundërshtia e tij me Pandeli Majkon për Teatrin është 20- vjeçare, sepse ish- Kryeministri doli në krah të artistëve, të cilët kërkuan rikonstruksionin e Teatrit që, në atë kohë, sipas studimit të kryer, kushtonte vetëm 1 milion USD. Me zgjedhjen e Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama vendosi ekzekutimin përfundimtar të planit mafioz për shembjen e Teatrit dhe betonizimit të qendrës historike të Tiranës”, tha dje deputetja e PD- së. MILIONE euro, sipas Partisë Demokratike, do të jetë fitimi që do të nxjerrë Edi Rama nga ndërtimi i 6 kullave në territorin e Teatrit Kombëtar. Sipas llogarive të PD- së, vlera e fitimit nga ndërtimi i një kulle është 34.2 milionë euro.