Përleshet me hajdutët, plagoset me tre plumba 28- vjeçari
PESHKOPI – Përleshet me maskat e armatosura, plagoset i riu. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme në fshatin Brezhdon të Bashkisë Dibër. Dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në banesën e familjes Selishta për të grabitur. Ato janë pikasur nga djali i madh i familjes, por pas përleshjes me grabitësit, ky u fundit mbeti i plagosur. Pas largimit të maskave, E. Selishta është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit. Kanë qenë fqinjët e familjes që u sulmuan, të cilët kanë njoftuar Policinë për atë që kishte ndodhur. Efektivë të Komisariatit të Peshkopisë mbërritën në fshatin Brezhdan dhe në spitalin rajonal. Zyrtarë të Policisë bënë me dijë rreth orës 04: 00, të ditës së djeshme, në banesën e shtetasit A. Selishta, në fshatin Brezhdan, dyshohet se janë futur dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë marrë një shumë lekësh dhe një aparat celular. Autorët dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri në pjesën e dorës shtetasin E. Selishta, 29 vjeç, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Peshkopisë, është larguar për në banesë. “Policia e Dibrës ka shoqëruar në ambientet e Policisë disa persona, që dyshohet se kanë dijeni apo lidhje me këtë ngjarje, ku për arsye hetimi nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera. Vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve”, thanë zyrtarë të Policisë Dibër. Mësohet se familja kishte kamera sigurie në banesë dhe ato i ka vënë në dispozicion të strukturave të hetimit. a. l.