Ahmetaj i përgjigjet Metës: S’ka ulje taksash për lojërat e fatit
Financat: Je keqkuptuar, vetëm unifikojmë sistemin fiskal
Ndryshimet e ligjit për tatimin e lojërave të fatit kanë sjellë debate mes qeverisë dhe Presidencës. Një ditë pasi Presidenti Meta ktheu për rivotim në Kuvend ligjin për të ardhurat, ku kundërshtonte nenin 6 për taksimin e lojërave të fatit, dje reagoi Ministria e Financave.
Presidenti shprehej se nga ndryshimet biznesi i lojërave të fatit përfiton ulje të barrës fiskale. Ministria e Financave shpjegon se ndryshimet e ligjit nuk ulin taksat për lojërat e fatit, por unifikojnë taksimin, duke përfshirë edhe Lotarinë Kombëtare e përjashtuar nga ligji i vjetër, ku tatimi ishte 10 për qind. MINISTRIA E FINANCAVE
Ministria e financave ka sqaruar se lojërat e fatit tatohen 15 për qind mbi të ardhurat bruto, ku, sipas ligjit të ndryshuar në 2015- n, ato përkufizojnë fitimin dhe shumën që u shpërndahet lojtarëve. “Nuk ka asnjë ndryshim në ligjin ‘ Për lojërat e fatit’ dhe asnjë relaksim sa i përket tatimit mbi lojërat e fatit, përkundrazi ka njehsim të aplikimit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit. Kuadri rregullator dhe fiskal i lojërave të fatit është vendosur dhe standardizuar në vitin 2015 me Ligjin 155/ 2015 ‘ Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë’, i cili përcakton konceptet, përkufizimin dhe mënyrën se si tatohen të gjitha kategoritë e lojërave të fatit. Neni 52/ 2 i këtij ligji përcakton shprehimisht se të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 15 për qind mbi të ardhurat bruto. Në ligjin e sipërcituar, Neni 4, pika 40, përcaktohet qartësisht baza e tatueshme, që është e ardhura bruto nga loja. ‘ Të ardhurat bruto nga loja’ është shuma e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. Është ky sistem fiskal dhe rregullator, të cilin Presidenti në argumentet e tij e cilëson si ‘ regjim fiskal dhe rregullator të rreptë, që synon shtimin e barrës fiskale, me qëllim dekurajimin e këtij aktiviteti’. Dhe është pikërisht ky sistem fiskal, të cilin synon të unifikojë ndryshimi i miratuar nga Par- lamenti dhe i kthyer nga Presidenti”, thuhet në reagim nga Ministria e Financave. Financat sqarojnë se arsyeja e ndryshimit të ligjit, është unifikimi i taksave për lojërat e fatit, duke përfshirë edhe Lotarinë Kombëtare e përjashtuar nga ligji i vjetër. “Ndryshimi i propozuar, jo vetëm që nuk bie ndesh me rregullimin e vendosur në vitin 2015, por e unifikon këtë rregullimin, duke përfshirë edhe Lotarinë Kombëtare në të njëjtin kuadër fiskal. Pra, nuk ka asgjë të re, përsa i përket shkallës tatimore apo bazës së tatueshme lidhur me tatimin mbi lojërat e fatit. Presidenti, nëpërmjet mos dekretimit, ndoshta pa dashje, ka rrëzuar pikërisht parimin që synon të mbrojë, pra, parimin e një sistemi të rreptë dhe njësoj i aplikueshëm për të gjithë”, përfundon sqarimin Ministria e Financave.