Vetingu, Rama ironi me filmat para ‘ 90, Basha: Kokat e gjarpërinjve do ju shtypen
PD citon fjalimin e Lu në 2015: Arben Frroku u lejua të largohej nga vendi, ndërsa ishte në pritje të apelimit
Kryeministri Rama dhe kreu i PD- së Basha vijuan polemikën në rrjetet sociale për rezultatet e vetingut.
Kreu i qeverisë iu përgjigj akuzave të PD- së për gjyqtarin Hallunaj, duke ironizuar me personazhin e plakut Mere në filmin “Njeriu me top”. “Ai momenti kur gjylet e vetingut prishën folenë e gjarpërinjve në pallatin e Drejtësisë. Dhe tani nuk kam ç’të bëj tjetër, vetëm të qesh”, ironizoi Rama në “Instagram”. I menjëhershëm ishte reagimi i Lulzim Bashës, i cili akuzoi Kryeministrin se po kap vetingun dhe drejtësinë për t’i shpëtuar drejtësisë. “Rama, Xhafajt, Roshi, Tahiri, Dako, Veliaj, Sejdini, Frrokët & co, kjo bandë kriminale do t’i ikë drejtësisë sa kohë vetingu i kapur nga kryemafiozi mban gjyqtarë me lidhje kriminale si Dvorani- Hallunaj. Por gjarpërinjve kokat do t’u shtypen. Nëse jo nga drejtësia, nga populli!”, u përgjigj Basha.
Më herët, Partia Demokratike e cilëson vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjykatësin Dritan Hallunaj si dëshmi se procesi i vetingut ka dështuar. Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeja, theksoi se konfirmimi në detyrë i gjykatësit Dritan Hallunaj, i cili në vitin 2015 liroi Arben Frrokun, vrasësin e komisarit Dritan Lamaj është kambanë alarmi për sistemin e ri të drejtësisë. “Konfirmimi në detyrë i gjyqtarit të Krimeve të Rënda,, Dritan Hallunaj, përgjegjës për lirimin nga burgu të mikut të Edi Ramës Arben Frroku, vrasësit të komisarit Dritan Lamaj, është kambanë alarmi për sistemin e ri të drejtësisë dhe provë e qartë se vetingu nuk po ndëshkon gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar. Lirimi nga burgu i një vrasësi si Arben Frroku, që më pas në të gjitha shkallët e gjykimit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, u dënua me burgim të përjetshëm, është shkak i mjaftueshëm për të shkarkuar nga detyra një gjyqtar. Nëse gjyqtarët konfirmohen në detyrë, pavarësisht se kanë liruar nga burgu vrasës dhe individë të lidhur me krimin e organizuar, atëherë vetingu ka dështuar të kthejë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtë- sisë”, tha Alibeaj. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PDsë publikoi edhe videon e vendimit të dhënë nga gjykatësi i Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, për Arben Frrokun në prill të vitit 2015. “Për këdo që e ka harruar, po sjellim në kujtesë momentin e dhënies së pafajësisë nga Dritan Hallunaj për mikun vrasës të Edi Ramës dhe që sot është vlerësuar si ‘ vendimi i duhur’ nga organet e vetingut. HALLUNAJ: Gjykata vendosi deklarimin të pafajshëm të të pandehurit Arben Frroku për akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të kryer në bashkëpunim”, u shpreh Hallunaj në vendimin e dhënë për Frrokun. Ambasadori Për të konfirmuar se vendimi i pafajësisë i dhënë nga Dritan Hallunaj për Arben Frrokun nuk ishte cilësuar skandaloz vetëm nga selia blu, Alibeaj solli në vëmendje edhe deklaratat e ambasadorit të SHBA- ve në Tiranë, Donald Lu, për atë vendim. “Kjo ishte e vetmja pritshmëri, e shprehur edhe nga ambasadori Donald Lu, 3 vjet më parë, kur komentoi rastin e Arben Frrokut dhe gjyqtarit që i dha pafajësinë. DONALD LU: Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por në mënyrë të mistershme u lejua të largohet nga vendi, ndërsa ishte në pritje të apelimit në gjykatë… janë llojet e personave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie funksional”, u shpreh në nëntor 2015 Donald Lu. Sipas Alibeaj, me vendimet që po merren çdo ditë në procesin e vetingut është e qartë se Rama po vendos nën kontroll qeverinë e re të gjyqësorit. “Me konfirmimin në detyrë të Dritan Hallunajt, jo vetëm po faktohet çdo ditë se Edi Rama kontrollon politikisht procesin e vetingut, por, po faktohet, gjithashtu, se Pallati i Drejtësisë nuk po pastrohet nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Organet e vetingut e mbrojtën gjyqtarin Hallunaj, që liroi nga burgu Arben Frrokun, sepse tani ai i duhet Edi Ramës në Këshillin e Lartë Gjyqësor për të vënë nën kontroll edhe qeverinë e re të gjyqësorit”, theksoi deputeti i PD.