ARSYET E PRESIDENTIT PËR KTHIMIN E LIGJIT:
Së pari, ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/ 2018, janë të paargumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjellë përfitim vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojërave të fatit, ndërkohë efektet e pritshme në buxhet apo në ekonominë familjare janë negative. Neni 6, i ligjit nr. 39/ 2018 të miratuar nga Kuvendi, parashikon ndryshimin e paragrafit të dytë, të pikës 7, të nenit 38, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” me këtë përmbajtje: “Tatimi mbi lojërat e fatit, sipas nenit 52/ 2, të ligjit nr. 155/ 5015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, aplikohet me shkallën 15% mbi të ardhurat bruto nga loja për të gjithë kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare të licencuar sipas ligjit nr. 95/ 2013. Referuar përmbajtjes së dispozitës së ndryshuar rezulton se, industria e lojërave të fatit, sipas nenit 6 të ligjit nr. 39/ 2018, përfiton drejtpërdrejt reduktim të barrës fiskale. Ky reduktim realizohet nëpërmjet aplikimit të sistemit të ri të tatimit për këto biznese, i cili me ligjin e ri përcakton si të ardhura bruto, jo “xhiron totale” ( siç parashikohet nga ligji ekzistues), por “fitimet bruto”, e cila përllogaritet duke zbritur shumën e fituar nga lojtarët nga shuma totale e luajtur prej tyre.
Së dyti, miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/ 2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar. Ndryshimet e realizuara nëpërmjet nenit 6, të ligjit nr. 39/ 2018 nuk i përgjigjen nevojave reale të shoqërisë shqiptare dhe, për më tepër, ato bien ndesh me objektivat sociale të shtetit shqiptar të përcaktuara në nenin 59 të Kushtetutës.