Spaho: Rritja ekonomike vetëm 2.5 për qind, zërin kryesor e ka energjia
Partia Demokratike përgënjeshtron qeverinë në lidhje me deklaratat e saj për rritje ekonomike në masën 4.45 për qind. Në një deklaratë për mediat, kryetari i Grupit Parlamentar të PD- së, Edmond Spaho, theksoi se në vitin e pestë të qeverisjes së Edi Ramës ekonomia familjare është përkeqësuar. Sipas anëtarit të Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, zëri kryesor i rritjes ekonomike të pretenduar nga qeveria është energjia elektrike. Spaho kujtoi se për shkak të reshjeve të shumta qeveria ka mundur të shesë energji elektrike, por kjo nuk ul papunësinë dhe nuk krijon vende të reja pune për shqiptarët. “Viti i pestë i qeverisë së Edi Ramës ka përkeqësuar ekonominë e familjeve shqiptarë. Statistikat e Edi Ramës se rritja ekonomike është 4.45 për qind janë përpjekje për të mashtruar shqiptarët. E vërteta është se zëri kryesor i së ashtuquajturës rritje ekonomike është energjia elektrike. Numrat janë të pagabueshëm! 66.4 për qind të rritjes ekonomike e zë energjia elektrike. Thënë ndryshe, rritja ekonomike prej 4.45 për qind ka ardhur për shkak të reshjeve të shiut dhe shitjes së energjisë elektrike. E zhveshur nga zëri i energjisë elektrike, ekonomia shqiptare rezulton keq e më keq, me një rritje minimale prej 2.5 për qind, sepse energjia elektrike nuk prodhon punësim nuk hap vende të reja pune”, tha Spaho. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD dha edhe vizionin e forcës së tij politike se si mund të rritet ekonomia. Spaho deklaroi se afrimi i investitorëve të huaj, mosdhënia e koncesioneve për klientët do ta ndihmonin ekonominë për të pasur një rritje normale. “Ekonomia mund të njohë rritje reale vetëm kur në Shqipëri të vijnë investime serioze të huaja, kur Kryeminis- tri të mos i shantazhojë investitorët e huaj që të punojnë me oligarkët e tij, kur Kryeministri të mos e japë Shqipërinë me koncesion te klientët e tij dhe kur Kryeministri të mos e shndërrojë Shqipërinë në kampione të Europës për korrupsion, ku 1 në 3 tendera jepen pa garë. Të gjitha këto, siç vuri në dukje Departamenti Amerikan i Shtetit, po ndodhin në Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama. Nënkryetari i PD- së paralajmëroi të gjithë ata që po abuzojnë me fondet se do të shkojnë në burg për çdo qindarkë të vënë me korrupsion. “Partia Demokratike beson se ekonomia mund të rritet, duke e çliruar nga klientët e Kryeministrit dhe krijuar mundësi reale për të gjithë. Mundësinë për rritjen e mirëqenies së familjeve shqiptare e siguron alternativa e Partisë Demokratike me taksat e ulëta, lufta ndaj korrupsionit dhe dhënia fund klientelizmit dhe abuzimit me fondet. Ata që po vjedhin sot, të jenë të sigurt se nesër do të shkojnë në burg për çdo qindarkë dhe pasuri të vënë me korrupsion”, tha nënkryetari i PD- së.