Lamtumirë Gaqo Çako, zëri i operistikës shqiptare
"Tenori unik, i cili interpretoi me perfeksion mbi 50 role"
"Pourquoi me reveiller" këndonte dikur arien e Verterit, Gaqo Çako. Mbrëmjen e së mërkurës ai mbylli sytë për të mos u zgjuar më. Por vetëm fizikisht. Dje, miq, të afërt, kolegë përcollën për në banesën e fundit yllin e muzikës shqiptare, tenorin e madh, Gaqo Çako.
Ndërsa njerëzit i kalonin përreth arkëmortit me trupin e tij pa jetë, zëri i tij ishte më i gjallë se kurrë dhe mbushte hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar. Lot dhe superlativa. Fjalët më të bukura u derdhën nga goja e kolegëve, aq sa edhe ata vetë nuk dinin se si ta përkufizonin gjeninë e një artisti të tillë, që erdhi në muzikën shqiptare si një meteor, me një talent të lindur natyror dhe që e përpunoi dhe e ngriti majave, falë një vullneti e pasioni të pashembullt. "Është një moment dëshpërues, një humbje e madhe për artin shqiptar dhe skenën operistike shqiptare në veçanti. Gaqo Çako është simboli i virtuozit, i zërit brilant, të papërsëritshëm për skenën operistike, por edhe të skenës vokale në përgjithësi. Gaqo Çako do të mbetet për të gjithë artistët e rinj, për të gjithë ata që ëndërrojnë majat e skenës operistike si zëri më brilant, si tenori unik, i cili interpretoi me perfeksion maksimal mbi 50 role, role kryesore në skenën e Teatrit tonë", tha drejtorja e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zana Çela. Në ceremoninë përcjellëse mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. "Kënga, kontributi, talenti i tij dhe dashuria me të cilën ai këndoi për publikun dhe për popullin tonë janë të përjetshme dhe kjo trashëgimi do të jetë gjithmonë frymëzuese për artistët më të rinj dhe njëkohësisht do të jetë gjithmonë në kujtesën e popullit dhe kombit tonë. Është një artist i përmasave të jashtëzakonshme, por njëkohësisht dhe trashëgimia që ai po lë, është e jashtëzakonshme dhe jam i sigurt që kjo trashëgimi do të jetë gjithmonë e gjallë", u shpreh Meta. Ndërsa Kryemi- nistri Edi Rama, menjëherë pasi mësoi lajmin e ndarjes nga jeta të artistit të madh shkroi: "Gaqo Çako nuk jeton më dhe bashkë me të shuhet një tjetër jetë e përkushtuar ndaj artit, duke lënë pas një emër që i mbetet historisë së të kënduarit shqip. Respekt". Kortezhi u nis drejt vendit të lamtumirës, ndërsa pas mbetën motivet e këngëve "Këputa një gjethe dafine", "Udhët e atdheut", "Fjalët e qirit" apo interpretimi i shkëlqyer i aries së Nadirit te "Peshkatarët e perlave".