“Drejtësia”, “bixhozi” e “Teatri”, Meta përgjigje Ramës: Nuk mund të rrija në heshtje
PRESIDENTI: KONFLIKTI, MAXHORANCA BEN DY HAPA ME SHUME SE OPOZITA
Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka folur dje për kthimin e dy ligjeve të qeverisë, ligjit që i hap rrugën shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ligjit për lojërat e fatit.
Në një intervistë për “TV1 Channel” në qytetin e Shkodrës, Presidenti ka thënë se ligjet kanë probleme me Kushtetutën dhe krijojnë precedentë shqetësues në të ardhmen. Ai ka thënë se nuk mund të rrinte indiferent dhe t’i dekretonte këto nisma. “Në arsyetimet e bëra, ne bazohemi tërësisht në Kushtetutë, në ligj, në marrëveshjet ndërkombëtare, në interesin kombëtar dhe në interesin e publikut”, ka thënë kreu i shtetit. Ai ka thënë se maxhoranca duhet t’i rishqyrtojë këto nisma ligjore në Kuvend. Presidenti ka folur dhe për çështjen e Teatrit, teksa u është referuar dokumenteve historike. Meta ka marrë si shembull kërkesën e ish- regjimit për të bombarduar Tiranën në mënyrë që të largoheshin nazistët. Por sipas Metës, anglezët nuk e pranuan këtë gjë, për të mos dëmtuar vlerat historike të kryeqytetit.
Zoti President, keni qenë në qendër të vëmendjes si institucion, për shkak se njëri pas tjetrit keni kthyer dy ligje në Kuvendin e Shqipërisë: së pari “Për Teatrin” dhe më pas ai i “Mbi tatimin mbi të ardhurat”, që shkaktuan shumë debate – Ka pasur ndikim edhe politika, zhurma e madhe që u krijua në këtë kthim të këtyre dy ligjeve?
Po bëhet saktësisht një vit nga fillimi i detyrës sime si President, nga momenti i betimit, dhe unë theksoj që numri i ligjeve të kthyera janë vetëm tre. Një për “Tarifat gjyqësore”, për të cilin u reflektua nga Kuvendi dhe që ishte në interes të qytetarëve, pasi tarifat rriteshin shumë, ishin mjaft të papërballueshme dhe rrezikonte që qytetarët, për shkak të tarifave të larta, të mos ndiqnin të drejtat e tyre nëpër procese gjyqësore të rregullta. Natyrisht, kemi dhe dy aktet e fundit, që shkurtimisht quhen “Për Teatrin” dhe “Lojërat e Fatit”. Në arsyetimet e bëra, ne bazohemi tërësisht në Kushtetutë, në ligj, në marrëveshjet ndërkombëtare, në interesin kombëtar dhe në interesin e publikut. Kështu që, Kuvendi ka të drejtën e tij t’i rishqyrtojë, të reflektojë ose jo, në varësi të gjykimit të tij përfundimtar. Pa dyshim që Institucioni i Presidentit nuk mund të qëndrojë indiferent apo të kalojë në heshtje çështje, të cilat i konsideron që jo vetëm krijojnë probleme në raport me parimet kushtetuese, me objektivat që kemi në Kushtetutë përsa i takon shtetit, shoqërisë sonë, por njëkohësisht dhe detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë, ku vendi ynë është palë apo që mund të krijojnë precedentë shqetësues në të ardhmen, sidomos përsa i takon aleancës midis pushteteve apo cenimit të ekonomisë së pushtetit vendor, sepse do të heqim dorë nga ligësitë... demokratike dhe të funksionimit demokratik të shtetit dhe të shoqërisë.
Ju personalisht, jeni për ta prishur Teatrin, në gjykimin tuaj, sepse ka një ndarje edhe të vetë artistëve, edhe të klasës politike. Zoti Veliaj tha: “Na shtynë me 40 ditë këtë çështje”,- në momentin që ju kthyet këtë ligj. Sa qëndron realisht pretendimi i maxhorancës? Rrezikohet edhe jeta e artistëve nga ajo godinë dhe nga ana tjetër opozita po flet përherë e më shumë për çështjen e kullave, për përvetësimin e një pjese të kësaj sipërfaqeje?
Unë mendoj se ruajtja e gjithçkaje që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, historike, muzeale, është një detyrë e të gjithëve. Për fat të keq, ne në të kaluarën nuk jemi treguar shumë të kujdesshëm ndaj ruajtjes së këtyre vlerave dhe kemi dëmtuar shumë prej tyre. Po kështu, historia e shtetit tonë nuk është shumë e vjetër dhe kemi nevojë që të jemi shumë më të vëmendshëm dhe të ndërgjegjshëm për çdo vlerë kulturore, historike e muzeale që ne kemi nga e kaluara. Sot lexova dokumentet e një historiani shqiptar, se gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Tiranës, edhe pse Mehmet Shehu kishte kërkuar, për të shpejtuar largimin e nazistëve nga kryeqyteti, të bombardohej qendra e Tiranës, anglezët nuk kishin pranuar të jepnin një urdhër të tillë, pra që avionët e tyre të bombardonin qendrën e Tiranës, për arsye sepse nuk kishin dashur të dëmtohej kjo pjesë, e cila është një pjesë që mbart vlera të rëndësishme për kryeqytetin.
Në këtë drejtim, unë besoj se kur ekziston vullneti i mirë, absolutisht që mundësia është edhe për të restauruar dhe për të mirëmbajtur Teatrin ekzistues apo kompleksin ekzistues, edhe për të ndërtuar një Teatër të ri, që pa dyshim që Tirana si kryeqytet, i cili është shtuar disa herë në numër në këto tri dekada, ka nevojë për Teatër të ri, ka nevojë për qendra të reja të zhvillimit të kulturës, të artit. Të gjitha këto mund të ndodhin absolutisht duke respektuar Kushtetutën dhe legjislacionin aktual në fuqi në vendin tonë. Pra, nuk ka nevojë për një ligj të veçantë, për një ligj preferencial, për një prece- dent le të themi, i cili na nxjerr nga shinat e funksionimit demokratik, kushtetues, ligjor të shtetit dhe shoqërisë sonë.
Zoti President, u mbyll dhe ky sesion parlamentar dhe sigurisht ka pasur protesta nga ana e opozitës, debate, bllokim të foltores së Kuvendit. Në të njëjtën kohë, u shty dhe procesi i çeljes së negociatave. Si janë lexuar nga Institucioni i Presidentit të gjitha këto zhvillime të brendshme, por edhe të jashtme dhe përcillet me shqetësim nga ana juaj kjo frymë, që deri diku nuk u shërben proceseve të vendit?
Pa diskutim që kjo është një frymë që nuk u shërben proceseve të vendit dhe nëse do të vazhdohet në këtë mënyrë, absolutisht që nuk do të ketë çelje të negociatave në qershorin e ardhshëm. Përkundrazi, do të ketë përsëri përpjekje për të gjetur fajtorë apo për të shpikur faktorë për këtë çështje. Unë e them shpesh që në të kaluarën kemi vuajtur shumë si popull nga një izolim idiot, se s’mund ta quajmë ndryshe. Të kishim qenë të izoluar, por “më butë” si disa vende të tjera të ish- Europës Qendrore dhe Lindore, por izolimi ekstrem prodhoi dhe pasoja, të cilat nuk mund t’i kuptojë dikush që nuk e ka jetuar atë periudhë dhe nuk arrijnë t’i kuptojnë apo perceptojnë as fëmijët tanë sot. Për fat të keq, pas 28 vitesh, përsëri kemi një konflikt të pajustifikuar dhe kemi një pasion për konflikt të pajustifikuar dhe kemi një pasion për konflikt ku dialogu duhet të mbizotërojë, sidomos për çështje me rëndësi ko-
Njerëzit nuk e kanë përkrahur reformën për këtë çështje, që të ngelen pa gjykata, sepse janë mbi 30 mijë dosje që presin nëpër gjykata dhe këto janë probleme që kanë qytetarët dhe kërkojnë zgjidhje
mbëtare, sikurse është çështja e integrimit europian, sepse kjo është një platformë dhe një qëllim i gjithë forcave politike në vend dhe një aspiratë e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Kështu që, në këtë drejtim duhet të bëhen përpjekje shumë të mëdha për të rivendosur dialogun. Duhen bërë përpjekje nga të dyja palët, por në qoftë se opozitës i kërkohet të bëjë një hap, maxhorancës gjithmonë i kërkohet të bëjë dy hapa, sepse ajo ka përgjegjësi edhe më të madhe përsa i takon vendit dhe qeverisjes dhe drejtimit të tij. Shpresojmë që pas pushimeve të ketë një reflektim, përndryshe, dy muaj kanë ikur që nga vendimi i qershorit, kështu mund të ikin dhe dhjetë muaj të tjerë. Është e padobishme.
Pra, e shihni të vështirë realizimin e atyre pikave shtesë?
Jo, unë nuk shikoj asgjë të vështirë nëse ka vullnet për përmbushjen e tyre dhe bashkëpunohet në mënyrë të qëndrueshme për përmbushjen e atyre sfidave dhe standardeve që kërkohen nga vendet e BE- së.
Vettingu u duk se shkaktoi një tërmet në sistemin e drejtësisë. Shumë prokurorë e gjyqtarë nuk po arrijnë të arsyetojnë pasurinë e tyre, kanë probleme përsa u përket dosjeve të gjykuara. Deri diku po shkohet drejt një kolapsi, nëse mund ta quajmë kështu, me gjithë këto largime në radhët e drejtësisë. Si e keni parë ecurinë e këtij procesi? Po ju pyes s si e keni parë, sepse opozita jo pak e ka sulmuar kohët e fundit, ndërkohë që nga ana tjetër maxhoranca po e quan si ai filtri i duhur, pasi për 28 vjet drejtësi ka pasur probleme të theksuara.
Janë dy çështje të ndryshme. Funksioni i vetingut dhe njëkohësisht paralizimi, mosfunksionimi apo mosndërtimi i institucioneve të reja të drejtësisë. Askush nuk e ka menduar, kur ka nisur reforma që do të ndodhi kjo e dyta, për arsye se janë bërë mjaft përcaktime dhe në Kushtetutë në mënyrë mjaft konkrete, të cilat parashikonin që këto institucione duhet të ishin krijuar me kohë, gjë që nuk ka ndodhur. Kjo e bën edhe më të domosdoshme rivendosjen e dialogut maxhorancë- opozitë, në mënyrë që kjo anomali apo një kolaps i mundshëm i funksionimit të sistemit gjyqësor të evitohet dhe të krijohet mundësia që në një mënyrë sa më të shpejtë, jo vetëm procesi i vetingut të vazh- dojë dhe të jetë edhe më i shpejtë dhe të mbështetet edhe më shumë administrata që kryen vetingun qoftë me staf apo me fonde, me mbështetje buxhetore.
Po kështu, të bëhen të gjitha ato ndryshime që janë të domosdoshme për t’u reflektuar, që i hapin rrugën krijimit të besueshëm, me integritet, të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë. Nuk mund t’ia vëmë fajin vetingut për këtë situatë, por mendoj që faji është i mosdëshirës për të parë problemet reale, kushtetuese dhe ligjore, të cilat duhet të rishikohen për të tejkaluar këtë situatë dhe për të krijuar institucionet e reja. Nuk mund të themi dhe është e papranueshme të themi, që më mirë pa gjykata fare, sesa me gjykata të korruptuara. Absolutisht. Njerëzit nuk e kanë përkrahur reformën për këtë çështje, që të ngelen pa gjykata sepse janë mbi 30 mijë dosje që presin nëpër gjykata dhe këto janë probleme që kanë qytetarët me shtetin, me bashkinë, më njëri- tjetrin dhe kërkojnë drejtësi, kërkojnë zgjidhje. Zgjidhja është edhe vetingu dhe lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, dhe njëkohësisht dhe krijimi i institucioneve të reja, të besueshme, të pavarura, të cilat do të japin atë drejtësi që qytetarët presin.
Meqenëse në politikë keni qenë shpesh mbi palët dhe i keni ftuar në tryezë, me cilësinë e Presidentit, a jeni i gatshëm në rast se nuk ka një dakordësi mes gjuhës politike mes maxhorancës dhe opozitës? Pra, t’i ftoni, pse jo, për hir të këtyre reformave?
Si President, përsa i takon Reformës në Drejtësi, unë do t’i përmbush të gjitha detyrimet e mia në mënyrë transparente, për aq sa Presidenti i Republikës ka detyrime në raport me Kushtetutën e vendit që është sot në fuqi. Unë kam dhënë mesazhe herë pas here përsa i takon Reformës në Drejtësi, duke evituar situatat konfliktuale, polarizuese, për aq sa i takon, duke evituar shtimin e problemeve, të cilat janë evidentuar dhe janë shtuar, janë politizuar më shumë sesa duhet. Natyrisht që u takon të dyja palëve të reflektojnë dhe të kuptojnë se shteti i drejtësisë nuk mund të politizohet në mënyrë ekstreme për çfarëdolloj arsyeje dhe duhet sa më shpejt që përmes një dialogu të zgjidhen të gjitha ato ngërçe, ato vështirësi, të cilat kanë krijuar një paralizë në shumë institucione të drejtësisë për momentin.