Kryeministri publikon raportin e bashkëqeverisjes
“Zgjidhëm 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve në 10 muaj”
Kryeministri Rama publikoi dje rezultatet e raportit 10- mujor të platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët. Sipas iniciatorit të kësaj platforme, në vetëm 10 muaj janë zgjidhur 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve, që deri dje mbeteshin sirtarëve të zyrave të shtetit. “Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam. 9.454 qytetarë pa dallim moshe, gjinie, statusi social, bindjeje e përkatësie politike, numërohen sot, 10 muaj nga ndezja e platformës, si përdorues e kontribuues të koalicionit tonë bashkëqeverisës për Shqipërinë që Duam”, shkruan Rama. Sipas tij, “Në vetëm 10 muaj, që nga nisja e funksionimit të platformës “shqiperiaqeduam. al”, 9.454 qytetarë janë bërë përdorues të portalit të bashkëqeverisjes, ndërsa 13,694 probleme të qytetarëve kanë marrë zgjidhje”. Kryeministri u ka bërë apel qytetarëve për të mos humbur kohë, por të raportojnë çdo problematikë që qytetarët kanë, pasi kjo sipas tij, është mënyra sesi njerëzit e zakonshëm të marrin në kohë e me cilësi, shërbimin që meritojnë. “Me vetëm një mesazh në adresën “shqiperiaqeduam. al”, qytetari ka në dispozicion të drejtpërdrejtë qeverinë, përmes ministrit përkatës që adreson menjëherë rrugën e trajtimit të përmbajtjes së mesazhit të qytetarit. Zgjidhja përmes kësaj platforme, në vetëm 10 muaj, e 13,694 halleve e problemeve konkrete të njerëzve konkretë të këtij vendi, është një afirmim kuptimplotë i këtij mekanizmi inovativ që fuqizon qytetarin. Vendos qeverinë gjithnjë e menjëherë në krah të tij. Garanton ndërveprimin e suksesshëm mes tyre në të mirë të çdo qytetari dhe identifikimin e punonjësve, që duhet të mbajnë përgjegjësi për mosdhënien e shërbimeve të duhura për qytetarët”, theksoi Kryeministri. Drejtësia është sektori ku ka pasur më shumë masa ndëshkimore, plot 239 të tilla, e ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës me 49 masa ndëshkimore. Më pas vijnë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit me 39 zyrtarë me masa ndëshkimore secila. 30 masa ndëshkimore janë dhënë edhe për zyrtarë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e ndjekur nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, me 18 masa ndëshkimore. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka pasur 8 zyrtarë me masa ndëshkimore, Ministria e Mbrojtjes 3 zyrtarë me masa ndëshkimore dhe Ministria e Brendshme vetëm 1 zyrtar.