Monitorimi, në një orë, 16 drejtues ndëshkohen për shkelje të rregullave
Policia Rrugore është e angazhuar kohët e fundit me mesazhe sensibilizuese dhe rritje të monitorimit në rrugët e vendit për të miminizuar sa më shumë aksidentet. Ditën e djeshme, drejtorë të Policive Rrugore në të gjithë vendin dolën live dhe dhanë mesazhe sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shmangur sa më shumë aksidentet në këtë sezon veror. Mirëpo, përkundër masave drastike, që ka marrë Policia Rrugore, një monitorim i kësaj të fundit në Tiranë për një hark kohor prej një ore, evidentoi 16 shkelje në një rrugë të vetme, kryesisht, shkelje semafori. Kjo tregon se me gjithë përpjekjet e Policisë, shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve vazhdon të jetë problematike. “Ndërkohë që përgjatë fundjavës, shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës janë të angazhuar për sigurimin e rrjedhshmërisë së trafikut dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore në rrugën interurbane kryesore Tiranë- Durrës dhe anasjelltas, nuk mungojnë monitorimet në rrugët kryesore urbane të kryeqytetit ku rritet shpejtësia e lëvizjes dhe njëkohësisht rreziku për t’u përfshirë në aksidente rrugore është më i lartë, për shkak të lehtësimit të trafikut dhe “nxit- imit” pa motiv, të drejtuesve të mjeteve për të kaluar semaforin sa më parë edhe kur ky i fundit është me dritë të kuqe. Në një orë monitorim konstatohen dhe ndëshkohen 16 drejtues mjetesh për shkelje. “Tregoni kujdes, respekto semaforin, mos përdor celularin gjatë drejtimit të mjetit, jepi përparësi këmbësorëve dhe çiklistëve; respekto rregullat e qarkullimit rrugor dhe ndiq këshillat e Policisë Rrugore për të përfunduar udhëtimin tuaj i qetë dhe i sigurt”, shkruan një njoftim i Policisë Rrugore.