Panorama (Albania)

Sëmundja e rrallë, 40- vjeçarja peshon vetëm 17 kilogramë

Vëllai: Duam një mjek specialist dhe ilaçe për fizikun e saj

- ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

Kimete Qefa është 40 vjeçe, por peshon vetëm 17 kilogramë dhe është e gjatë rreth 60 cm. Që nga koha që u diagnostif­ikua si e sëmurë, trupi i saj mbeti sa i një fëmije. Familja e saj sot kërkon ndihmë, së paku për një mjekim të specializu­ar. Kimetja jeton me nënën e saj, vëllain Pëllumbin, nusen dhe dy fëmijët e tij.

Kalvari i vuajtjes për të nisi që kur ishte 6- muajshe. Një sëmundje kronike prej fëmije detyroi nënën e saj, që atëherë jetonin në Gramsh, ta çonte atë te mjeku. Aty mësoi se e bija kishte mungesë tiroidesh dhe se për këtë arsye ajo nuk do të zhvillohej më si një fëmijë normal. Rritja e saj prej asaj kohe ka qenë me centimetra. Ajo u zgjat shumë pak dhe pesha ishte me gram në vit. Tashmë, Kimetja peshon rreth 17 kilogramë dhe ushqehet vetëm një herë në ditë. Pëllumbi, vëllai i saj dhe nusja e tij kujdesen për të. “Kimeten e trajtoj më mirë se fëmijët e mi. Ata tashmë janë të rritur, nuk i mbaj më hopa, ndërsa Kimeten vazhdoj ta mbaj. Ajo me të vërtetë është 40 vjeçe, por peshon sa një bebe”, thotë vëllai i saj Pëllumbi. Ai shkoi në emigrim prej vitesh dhe një nga arsyet ishte që t’i ofronte kushte sa më të mira së motrës. “Asgjë nuk i mungon Kimetes. Ajo ka dashuri, ka dhomën e saj, me të vërtetë ushqehet një herë në ditë, por atë vakt e merr të shëndetshë­m”, thotë Pëllumbi. Nëna e Kimetes tregon se po të ishte kuruar që 6 muajshe, kur edhe u zbulua sëmundja e saj, sot Kimetja do të kishte zhvillim normal. Sikur të mos mjaftonte kjo, rreth 3 vite më parë, Kimetja u diagnostif­ikua edhe me hepatit. Që atëherë ajo kurohet nga mëlçia dhe ky është problem i madh për vëllain e saj, i cili rend në spitalet e Elbasanit me Kimeten hopa, pasi ajo nuk ecën dot vetë. Edhe pse i gatshëm për motrën e tij, Pëllumbi nuk po mundet dot ta kurojë atë. “Kimetja nuk mund të kurohet dot me kokrra nga mëlçia. Ajo do një mjekim me lëngje, pasi organizmi i saj nuk i përballon dot kokrrat, nuk ia tret dot. Mjekët më kanë thënë që nuk ka një mjekim të tillë. Kërkoj një mjek specialist që të më ndihmojë motrën. Aq vite sa Zoti ia ka dhënë jetën, ta jetojë pa dhimbje. Ne e duam të gjithë, nuk duam që ajo të vuajë. Mjekët më thanë ta shtrojmë në spital, por atje Kimetja nuk mund të rrijë dot. Ajo ka nevojë për shumë shërbime. Kemi nevojë që në këto kushte mjekimi t’i bëhet në shtëpi me ndihmën e ndonjë asistenti”, thotë Pëllumbi. Ka vetëm 6 vjet që Kimetja merr kemp të plotë, se më parë e merrte të pjesshëm. Janë të rrallë rastet si të Kimetes në vendin tonë, ndaj dhe Pëllumbi kërkon me ngulm një mjek specialist për hepatitin, me qëllim që motra e tij të mos vuajë. Sakaq, vetë Kimetja edhe pse nuk kupton shumë, fatkeqësis­ht dhimbjet i ndjen. Për shkak të fizikut, ajo nuk mund t’i përballojë këto dhimbje andaj edhe shpesh ankohet, duke detyruar vëllain e saj të shkojë me të në krah dyerve të spitalit për të kërkuar ndihmë.

 ??  ?? Qafa me motrën e sëmurë
Qafa me motrën e sëmurë
 ??  ?? Pëllumb Qefa me motrën e sëmurë, Kimeten ne krah
Pëllumb Qefa me motrën e sëmurë, Kimeten ne krah

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania