Fitorja e parë në Europian, Kombëtarja e minifutbollit kalon Irlandën
Në sfidën e djeshme shkëlqyen Dushku, Shima e Hysenbelliu
Pas golit të parë historik të Kombëtares shqiptare të minifutbollit, të realizuar nga kapiteni Fatmir Hysenbelliu, në ndeshjen e dytë kundër Bosnjë- Hercegovinës ( rikuperim topi në mesfushë dhe goditje kirurgjikale me të djathtën, që la të ngrirë portierin), dje ka ardhur edhe fitorja e parë historike në Europian për kuqezinjtë.
Në aktivitetin që po zhvillohet në Ukrainë, Shqipëria mundi me rezultatin e pastër 2- 0 Irlandën dhe regjistruan fitoren e parë në këtë eveniment ndërkombëtar, ku kujtojmë që skuadra jonë është debutuese. Përfaqësuesja e drejtuar nga Andi Koçi zhvilloi një lojë shumë të mirë, duke dominuar në të gjitha aspektet përballë rivalëve britanikë. Në duelin e djeshëm, kuqezinjtë treguan një nivel shumë të mirë loje, si në fazën sulmuese, ashtu dhe në atë mbrojtëse, duke mos i lënë asnjë hapësirë kundërshtarit. Kjo ishte ndeshja e tretë për Shqipërinë në Kampionatin Europian. Kujtojmë që më parë kuqezinjtë janë mundur nga Kazakistani 1- 0 në ndeshjen hapëse, ndërsa në ditën e dytë u thyen 4- 2 nga Bosnjë- Hercegovina. Megjithatë, Kombëtarja jonë, edhe në dy ndeshjet e para nuk ka treguar disnivel në lojë me kundërshtarët, ku madje, me pak fat mund të kishte marrë edhe diçka më tepër nga ato sfida. Ndërkohë, në takimin e fundit, Shqipëria i la pas emocionet dhe doli krejtësisht në lojën e saj, duke luajtur lirshëm dhe duke zhvilluar një futboll mjaft cilësor, i cili u vlerësua edhe nga tifozët e pranishëm.
NDESHJA
Ndoshta e çliruar totalisht edhe nga emocionet e de- butimit, Shqipëria e nis menjëherë vrullshëm duelin ndaj Irlandës dhe kalon në avantazh që në minutën e tretë me anë të Dushkut, i cili përfiton nga një top i rikuperuar nga Mërtiri, godet fuqishëm dhe e dërgon sferën në rrjetën kundërshtare. Kuqezinjtë janë më të qartë në lojë se Irlanda dhe në të 8- ën, Shima lëviz mirë në zonë, godet drejt portës, por portieri irlandez mohon dyfishin. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Shqipëria dyfishon rezultatin. Është Hysenbelliu, regjisori i lojës së kuqezinjve, që shërben për Shimën dhe ky i fundit, pasi e kontrollon bukur topin, shmang një kundërshtar dhe më pas nuk fal, duke tundur sërish rrjetën. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 20 dhe dominimin e plotë të shqiptarëve. Edhe pjesa e dytë nis me ritëm të lartë nga përfaqësuesja jonë, ku që në minutën e parë iu afruam golit të tretë me anë të Dushkut, por "predha" e tij grushtohet nga Somers. Irlanda tenton të reagojë dhe në të 29- ën ka mundësinë më të mirë për të shkurtuar diferencën e golave, por Braun godet jashtë nga një pozicion diagonal. Shqipëria vazhdon të tregohet më e qartë në lojë dhe në dy momente i afrohet golit të tretë me kapitenin Hysenbelliu dhe në sekondat e fundit me Mërtirin, por edhe kaq mund të mjaftojë që festa e kuqezinjve të startojë, pas fitores së parë historike në një kampionat Europian minifutbolli.