"Prokuroria duhet të kërkojë arrestimin e Çyrbjes"
Salianji: Rama s'lejon kukullat e veta në Prokurori të zbatojnë ligjin"
Partia Demokratike ka kërkuar dje nga Kryeministri Edi Rama që të reagojë publikisht pas përgjimit të bisedave telefonike të deputetit të Shijakut, Jurgis Çyrbja, i cili ka komunikuar dy herë me krahun e djathtë të Emiljano Shullazit. Nga selia blu, deputeti i PD- së, Ervin Salianji, tha se Edi Rama ka 24 orë që nuk flet për përgjimet e deputetit të PS- së. Salianji tha se edhe reagimi i deputetit të Shijakut ishte një tentativë për t'u hedhur hi syve shqiptarëve. "Prej 24 orësh, media ka bërë publike përgjimet e Prokurorisë, ku deputeti i Edi Ramës në Shijak, Jurgis Çyrbja, faktohet si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtor për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në emër të tij. Në një përpjekje të dëshpëruar, deputeti i Edi Ramës mashtroi dje shqiptarët dhe u përpoq t'u hidhte hi syve për të shpëtuar veten. Është e papranueshme sesi nga Prokuroria nuk ka asnjë reagim për komunikimet e përgjuara në mënyrë të ligjshme prej saj, ku deputeti i Edi Ramës ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmando Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit, për çështjen e hotel ' Vollgës'", tha dje demokrati. Por sipas deputetit të PD- së, Jurgis Cyrbja që regjistroi hotel "Vollgën", sot është në Parlament, ndërkohë që Shullazi ndodhet në burg. Por për këtë çështje, PD- ja thotë se Rama nuk bën asnjë dhe nuk ka mbajtur asnjë qëndrim publik për të dënuar lidhjet e deputetit me bandat. "Kjo pronë është regjistruar në pronësi të Emiljano Shullazit nga Jurgis Çyrbja, por ndryshe nga Shullazi që është në burg, Çyrbja është në Parla- ment nën mbrojtjen e Edi Ramës. Edi Rama, njësoj si Prokuroria që ka në varësi, hesht prej 24 orësh. Pse e ka kyçur gojën Rama, i cili komenton edhe fustanet e grave, por jo lidhjet e deputetit të tij të Shijakut me bandën e Emiljano Shullazit?! Edi Rama nuk flet për të dënuar lidhjet e krimit me politikën, sepse ai është arkitekti i bashkëqeverisjes me krimin, i cili e mban në pushtet. Kështu po mbron Rama Saimir Tahirin, Fatmir Xhafën, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin, Mark Frrokun, Arben Ndokën, Armando Prengën dhe çdo lidhje të krimit brenda dhe jashtë Parlamentit", tha dje Salianji. Më tej, deputeti i PDsë tha se Prokuroria duhet të kishte dërguar në Kuvend kërkesën për arrestimin e deputetit socialist si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit, por organi akuzës pengohet nga Edi Rama. "Shqiptarët duhet ta dinë që, nëse Edi Rama do të lejonte kukullat e veta në Prokurori të zbatojnë ligjin, në Kuvend duhet të kishte shkuar kërkesa për arrestimin e menjëhershëm të deputetit Jurgis Çyrbja, anëtar i bandës së Emiljano Shullazit", tha dje Ervin Salianji.