Merkel- Putin, kundërshtarë të besueshëm në kohë të pasigurta
Formati flet qartë: deklarata para shtypit, por vetëm para takimit. Pyetje nuk lejohen. Në dhjetë minutat publike, të dyja palët me vetëdije flasin duke iu shmangur thelbit – si një duet i vjetër politik. E kjo s’është aspak habi – pas më shumë se një dekade bashkekzistence të ngushtë politike.
Kur Merkel bën fjalë për “përgjegjësinë” e madhe politike, që mbajnë Berlini dhe Moska në konfliktet qendrore si Siria apo Ukraina, atëherë ajo ka parasysh në radhë të parë stabilitetin për kthimin e refugjatëve në Siri. Kjo e zbut tensionin në diskutimin e politikës së brendshme për migracionin. Por në përpjekjen e saj për ta stabilizuar Ukrainën me furnizim gazi, ajo menjëherë merr një refuzim nga Putini.
Sepse presidenti rus vazhdon ta cilësojë projektin e gazsjellësit NordStream 2 Gas Pipeline “thjesht si një projekt ekonomik. ” E pra mirë, edhe Merkelit iu deshën vite për ta pranuar publikisht, që një linjë gazsjellësë, e cila ndërtohet vetëm për t’iu shmangur Ukrainës si vend tranziti, ka një dimension politik. Mund të gjenden fusha “të tjera” për bashkëpunimin ekonomik. Sikur të ishte kështu! BE- ja është gjithsesi kundër dhe SHBA i ka në sirtar sanksionet kundër Nordstream2.
BESUESHMËRIA KA ÇMIMIN E VET
Kësisoj, ne cekim këtu të tretin e padukshëm të këtyre raporteve. Qëkurse Donald Trump me flakën e tij trazuese po nxeh botën, marrëdhëniet me Moskën papritur nuk janë më aq keq. Por ato ishin vërtet të këqija. Që pas aneksimit të Krimesë nga Moska ka qenë vazhdimisht Merkeli ajo, që ka organizuar sanksionet e përbashkëta euopiane kundër Rusisë. Por tani me Trumpin të dy papritur konstatojnë, që këto kohë të këqija kanë qenë kohët e vjetra të mira të pozicioneve të besueshme. Në vetvete, frontet e konturuara qartë janë kthyer tani në vlerë.
Pavarësisht ndërhyrjes ruse në zgjedhjet në SHBA, pjesëmarrjes së mundshme të Moskës në sulmin me neurotoksinë në Britaninë e Madhe, palët kanë nevojë reciprokisht për njëra- tjetrën. Bashkarisht tani është e rëndësishme të shmanget dalja përfundimtare nga marrëveshja atomike me Iranin.
DETAJET ZBULOHEN NGA NËNTEKSTI
Në Berlin, prej kohësh është përhapur mendimi, se gjendja në Siri mund të stabilizohet vetë me ndihmën e Rusisë. Madje, edhe me pjesëmarrjen e sundimtarit Assad. Që kjo nuk do të jetë krejt e lehtë për Gjermaninë, Putin e la të nënkuptohet: teksa ai foli, se sa e rëndësishme është që të marrësh pjesë në ndihmat humanitare, për të mundësuar kthimin e refugjatëve – e pastaj ai përmendi konkretisht furnizimin me ujë. Ata njihen fort mirë me njeritjetrin, aq sa në publik mjafton vetëm që t’i lënë gjërat të nënkuptohen. Por shumë partnerëve të vjetër pas dyerve të mbyllura u ndodh që të grinden fuqishëm.