Masat, përdorimi i dronit çon në pranga 9 shoferë
Ecje në sens të kundërt dhe të dehur në timon, filmohen nga ajri
Përdorimi i dronit për penalizimin e shoferëve duket se po jep rezultate konkrete për Policinë Rrugore.
Gjatë javës së fundit, në Elbasan janë vënë në pranga 9 persona, ndërsa 25 personave të tjerë u është hequr leja e drejtimit për shkelje të rregullave të qarkullimit. Policia e Elbasanit pohon se janë realizuar kontrolle të shtuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, ndërkohë që ka pasur kontrolle me drager e radarë në të gjitha rrugët urbane e dytësore të qarkut. Gjatë javës që kaloi rrugët e Qarkut Elbasan u monitoruan edhe me dron, ku monitorimi do vijojë edhe në javët në vazhdim. Kontrollet janë përqendruar në drejtim të shpejtësisë tej normave të lejuara, të drejtimit të automjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të atyre që drejtojnë motoçikletat pa leje drejtimi dhe pa kaskë mbrojtëse, për mospërdorim të rripit të sigurimit, për përdorim të telefonit gjatë drejtimit të mjeteve, si dhe për shkelje të tjera, të cilat janë burim aksidenti. Gjithashtu, kontrollet janë përqendruar edhe në automjetet e transportit publik, për licencë apo pa kontroll teknik. Nga kontrollet e kryera nga shërbimet e Policisë Rrugore janë arrestuar në flagrancë 7 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur, si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Policia Rrugore e Elbasanit do vijojë kontrollet e pandërprera, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.