Kristiano kërkon asiste, ndez "duelin" Dibala- Manxukiç
Çfarë Juventusi do shihet këtë fundjavë kundër Lacios? Me siguri një "Zonjë" me në sulm Kristiano Ronaldon, i shumëpritur për debutimin e tij në "Allianz Stadium". Bardhezinjtë këtë sezon kanë një nga sulmet më të frikshme në botë, me lojtarë të një klasi dhe kualiteti tejet të lartë, ku sigurisht CR7 është "qershia mbi tortë". Nëse për krahët e sulmit bardhë e zi nuk ka shumë dilema dhe Kosta me Kuadradon duken të paprekshëm, i ndryshëm është diskutimi për dy të tjerët: Paolo Dibala dhe Mario Manxukiç janë në një duel të hapur për të siguruar një fanellë titullari.
DYSHIMET E ALEGRIT
Dy futbollistët do "duelojnë" ( bie fjala) mes njëritjetrit për të fituar një vend përkrah Ronaldos në majën e sulmit të Juventusit. Deri më tani, në avantazh është dukur të jetë "La Joya", prej karakteristikave, por edhe për çka tregoi në fushë në këto ndeshje të para zyrtare dhe miqësore. Por sulmuesi kroat, që pak ditë më parë deklaroi tërheqjen nga skuadra kombëtare, ka dëshmuar disa herë që është një tip që nuk dorëzohet shumë lehtë përballë sfidave, sado të vështira qofshin ato. Dibala është i avantazhuar për të luajtur përkrah Ronaldos për shkak të klasit dhe talentit që zotëron në këmbët e tij. Por centimetrat dhe forca e Manxukiç mund ta detyrojnë trajnerin Alegri që në ndeshje të caktuara të hedhë në fushë kroatin.
ZERO PIKA REFERIMI - Përtej të gjithave, kjo betejë mes këtyre dy futbollistëve mund të rezultojë shumë pozitive për Alegrin, që do të ketë shumë alternativa në dispozicion. Por gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se Dibala apo edhe Mandzukic më herët kanë provuar të luajnë edhe në krah, çka do të thotë se mund të gjejnë minuta gjatë këtij kampionati edhe në fashat e mesfushës. Çfarëdo që të ndodhë dhe kushdo që të zbresë në fushë, tifozët e Juves mund të rrinë megjithatë të qetë, pasi golat janë thuajse të garantuar në çdo ndeshje nëse në majë e sulmit ke një njeri si Kristiano Ronaldo. Gjithashtu, zero pika referimi: një dhimbje koke e shtuar për kundërshtarët.