Ish- Kryeprokurori: Si më dënuan me vdekje, keqardhje për viktimat, s’kam kërkuar falje
EKSKLUZIVE/ FLET RRAPI MINO: DO DENOHESHA PO TE MOS ZBATOJA LIGJIN
“Nuk kam gjykuar të kërkoj falje, por shpreh keqardhjen time për familjarët e viktimave”. Kjo është përgjigjja e ish- Kryeprokurorit të regjimit komunist për rolin në tragjeditë e shkaktuara me firmën e tij në proceset e tmerrshme, që kanë çuar para skuadrës së pushkatimit dhjetëra njerëz.
E shprehur kësisoj, kjo qasje e Rrapi Minos, më shumë se për të qenë në paqe me veten, është një mënyrë justifikimi e tipit “Ashtu ishte koha, ashtu ishte ligji”. Kjo dallohet lehtë sidomos në ato që rrëfen më tej zyrtari, që ka përfaqësuar akuzën në proceset më të bujshme të regjimit. I shtrënguar të tregojë nëse ka pasur mundësi të propozojë një masë më të lehtë nga dënimi me vdekje në ato procese, ai pa dashje shkon tek e vërteta, duke pohuar se çdo dënim tjetër do ta penalizonte vetë atë për shpërdorim detyre. Përtej këtij argumenti, në pjesën përmbyllëse të rrëfimit për gazetën “Panorama”, Rrapi Mino, një nga zyrtarët më të frikshëm të regjimit komunist, i kthehet kohës kur kishte lënë karrigen e Kryeprokurorit dhe përballej me akuzën për krime kundër njerëzimit. I rikthyer në burg, këtë radhë jo si zot i ligjit, por si objekt i goditjes së tij, kujton një mori episodesh nga përjetimet në birucë me ish- kolegët e dikurshëm, Ramiz Alia, Hekuran Isai, Arianit Çela dhe shpurës tjetër të shtetarëve të diktaturës…
Zoti Rrapi! Ju jeni prokurori që keni dënuar me pushkatim një pjesë të madhe të anëtarëve të Byrosë Politike dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm të regjimit komunist. Çfarë do të korrigjonit në këto dënime kapitale, nëse ata do të gjykoheshin në ditët e sotme?
Unë kam qenë prokuror në disa nga këto procese, që janë finalizuar me dënime ekstreme, siç ka qenë procesi i Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Llambi Peçinit, Llambi Ziçishtit, e ndonjë zyrtari tjetër të këtij rangu. E vërteta është se ato kanë qenë procese shumë të rëndësishme, jo vetëm për akuzën e rëndë ” krime kundër shtetit”, por sidomos për profilin e lartë politik e shtetëror të të penalizuarve. Me çfarë mase do t’i dënoja, po t’i rigjykoja sot, kjo më duket një pyetje pa kuptim. Më duket kështu, se në radhë të parë kemi të bëjmë me dy sisteme të ndryshme. Në fund të fundit, fajtorët dënohen sipas ligjeve në fuqi. Ato ligje ishin atëherë, ai ishte fati i tyre. Aktualisht, kemi një legjislacion tjetër, që nuk i njeh akuza të llojit “agjitacion e propagandë”, “sabotim apo tradhti” etj..
Me një fjalë, t’i kishit sot në bankën e të akuzuarve Kadri Hazbiun apo Abdyl Këllezin, nuk do t’i kalonit para skuadrës së pushkatimit...? Është e kuptueshme…
Në fund të fundit, të dy i keni dënuar për krime kundër shtetit, aktualisht është ndërruar regjimi, por shteti është po ai…
E si mund ta dënosh sot Abdyl Këllezin me akuzën e atëhershme për orientimin kapitalist të ekonomisë. Abdyl Këllezi sot jo vetëm nuk mund të penalizohet për atë akuzë, por e them me plot gojën që ai mund të ishte kryeministri më i mirë i Shqipërisë pas rrëzimit të komunizmit.
Mund të ishte, po ai vendimi famëkeq për dënimin me vdekje- pushkatim, që keni firmosur ju në procesin e vitit ‘ 77… Një e dy dhe tek ajo firma mbete ti, sikur unë paskësha qenë strumbullari i gjithë atyre fatkeqësive. Njëri nga ndëshkuesit, as më shumë, as më pak, prokurori që shqiptonte i pari në seancë dënimin me vdekje… E tillë ishte koha, Kodi Penal, fryma shoqërore etj.. Në ato rrethana, a kishte mundësi të propozoje një masë më të lehtë nga dënimi me vdekje? Absolutisht jo. Se nuk të lejonte hapësirë Kodi Penal. Ndryshe, dënohesha për vete për shpërdorim detyre… Po shpëtonit një jetë njerëzore…
Sot mund të thuash këtë e plot gjëra të tjera, por duhet t’i vendosësh gjërat në kontekstin e tyre kohor. Se mund ta shpëtonte dikë një prokuror, por nuk e lejonte gjykata… Sidoqoftë, janë bërë shumë krime, janë vrarë me dhjetëra njerëz, janë persekutuar familjarët e tyre… Të gjitha këto në kuadrin e atij regjimi, unë nuk isha regjimi, por vetëm një zyrtar i tij…
A ndihet keq ky zyrtari që ka firmosur dhjetëra dënime me vdekje, qoftë dhe në emër të regjimit? Ia ndien shpirti një ndjesë të sinqertë për viktimat dhe familjarët e tyre?
Të them të vërtetën, ndihem i keqardhur për gjithë ato fatkeqësi njerëzore, por rezervohem të them më fal, sepse, në fund të fundit, kam zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, bile me korrektësinë më të madhe, atë që parashikonte Kodi Penal germë për germë e nen për nen. Këtë e kam shprehur edhe gjatë procesit penal kur u penalizova për gjenocid e krime kundër njerëzimit… Le t’i kthehemi procesit tuaj, me çfarë akuze u penalizuat dhe sa vite u dënuat?
Pas përmbysjes së regjimit, jam dënuar dy herë. Në procesin e parë, që u zhvillua në tetor të vitit 1993, më penalizuan për shpërdorim detyre bashkë me Ramiz Alinë dhe Manush Myftiun. Çfarë akuze nuk më vunë përpara. U bë zhurmë e madhe në medie e publik. U lirova në korrik të vitit 1995. Po me sa dukej, revanshi nuk do ndalej këtu. Procesi i dytë ishte më i tmerrshmi. Ai u zhvillua në vitin 1996. Bashkë me Hekuran Isain dhe Aranit Çelën u gjykuam e dënuam me vdekje pushkatim për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. E deshi fati dhe shpëtuam, pas atyre rrethanave që u krijuan me ngjarjet e vitit 1997.
Çfarë përjetonte ish- Prokurori i Përgjithshëm i rikthyer në qeli, këtë radhë jo si përfaqësuesi i akuzës, por i akuzuar, madje, për krime të rënda?
Në ato qeli kisha shkuar me dhjetëra herë gjatë kohës kur ushtroja detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por asnjëherë nuk më kishte shkuar në mendje se një ditë do të bëhesha dhe vetë banor i njërës prej tyre. Pastaj, mosha e madhe e bënte dhe më të vështirë ambientimin me kushtet e birucës. Gjithsesi, ishte parashikuar për ta kaluar dhe këtë sfidë sfilitëse. Si ishte reagimi i punonjësve të burgut?
Kur isha për herë të parë në Burgun 313, gjetëm një personel miks. Kishte gardianë të vjetër, madje edhe nga ata, me të cilët na kishte lidhur puna më parë. Ishin rekrutuar sakaq gardianë e punonjës të rinj, kryesisht nga radhët e të përndjekurve politikë. Sa për reagimin e tyre, nuk di çfarë të them. Në përgjithësi na shikonin me një lloj urrejtjeje. Po kishte dhe njerëz të mirë ndër ta. Unë për vete, po dhe të tjerët, prisja një mjedis më armiqësor… Pati ndonjë rol njohja me gardianët e vjetër në përmirë-
Unë kam qenë prokuror në disa nga këto procese, që janë finalizuar me dënime ekstreme, siç ka qenë procesi i Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Llambi Peçinit, Llambi Ziçishtit e ndonjë zyrtari tjetër të këtij rangu. E vërteta është se ato kanë qenë procese shumë të rëndësishme”
simin e kushteve?
Të vjetrit, ndoshta ngaqë ruheshin e kërkonin benefite për të qëndruar në punë, u sollën më ftohtë e herë- herë në mënyrë më arrogante. E gjitha kjo për të fituar besimin e eprorëve. Pjesa që i ishte shtuar personelit nga radhët e të dënuarve, në përgjithësi ishte disi më tolerante. Kishte edhe ndër ta që silleshin brutalisht.
Gardianët e vjetër ruheshin, thoni ju, të rinjtë e rekrutuar rishtas nga radhët e të dënuarve politikë silleshin më mirë kur këta të fundit kishin arsye t’u qëndronin më ashpër…
Kështu mendoja dhe unë ditët e para, por u zhgënjeva. Për hir të së vërtetës dhe për ironi të fati, kështu ka ndodhur.
Përtej kësaj konsiderate të përgjithshme, kishte ndonjë rast kur punonjësit e burgut tejkalonin kërkesat e rregullores në komunikimin me ju?
Fillimisht edhe kishte, po kur erdhi drejtor i burgut nipi i Qazim Mulletit situata u përmirësua ndjeshëm. Kur morëm vesh se do vinte ai, na zuri frika. Për fat ndodhi e kundërta. Ai ishte shpirt njeriu. Vinte në dhomë, më pyeste si ishim me shëndet, përse kishim nevojë, a na bezdisnin gardianët etj.. Ruaj kujtimet më të mira për të. E kam takuar dhe më vonë dhe e kam falënderuar me shpirt për korrektësinë dhe dimensionin njerëzor. Ai vuri rregull edhe te të tjerët. Nuk më duhet mua, thoshte, biografia e të dënuarve, postet që kanë pasur, shkeljet që kanë bërë, ato i dinë organet e tjera. Për mua, bibla e shërbimit është korrektësia në zbatimin e regjimit sipas ligjit dhe rregullores së burgut…