Gjeti eshtrat e vajzës pas 55 vitesh, ndahet nga jeta Mrikë Gjikola
Mrikë Gjikola nuk mundi të ishte dot në ceremoninë e dekorimit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, si një prej të mbijetuarave të Tepelenës. Ajo po kalonte orët e fundit mes jetës dhe vdekjes, ndërsa historia e saj rrëqethte të gjithë të pranishmit në aktivitetin e zhvilluar në ish- Kampin e Tepelenës. Mrikë Gjikola u nda nga jeta pak ditë më parë, veçse rrojti boll, deri sa arriti të gjejë eshtrat e vajzës së saj të vdekur në moshën 3– vjeçare prej kushteve çnjerëzore të kampit të Tepelenës, ku vuanin dënimin pas pushkatimit të burrave të tyre në kufi, në vitin 1948. Së bashku me kunatën e saj, Gjelën, ajo arriti të gjejë pas 55 vjetësh eshtrat e së bijës. Por në ditën e kujtesës së viktimave të komunizmit, në datën 23 gusht, kur u nderua me Titullin për Merita të Veçanta Civile, ajo nuk mundi të jetë...
Me rastin e ndarjes së saj nga jeta, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit, i dërgon një mesazh ngushëllimi familjarëve: “U trishtuam jashtë mase kur mësuam lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të së dashurës suaj, Mrikë Gjikola. Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut të shtrenjtë, dëshirojmë t’u gjendemi shpirtërisht pranë familjarëve dhe të afërmve, duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta! Mrikë Gjikola ka qenë një figurë frymëzuese për mënyrën si jetoi dhe qëndroi me dinjitet, në vendin e lindjes apo në internim, kudo u zhvillua drama e saj jetësore dhe u kalit mbijetesa, në emër të sakrificës dhe humanizmit që ajo përcolli. Jemi të nderuar që patëm mundësi të jepnim kontributin tonë në vlerësimin e kësaj zonje të vërtetë. I pastë shpirti dritë!”