Çon 1 vit dëm, Panuçi: Eksperienca e Agollit na duhet
"Ky është grupi më ekspert i momentit, Liga e Kombeve... vendimtare"
Për disa muaj u evidentua se ai do të ishte një 37- vjeçar për të cilin duhej gjetur zëvendësues, ndërkohë që gjatë konferencës së djeshme, ligjërata e trajnerit rreth tij u përqendrua te togfjalëshat "është me eksperiencë dhe mund të na japë një dorë".
I tillë ka qenë kursi i ligjërimit të trajnerit Kristian Panuçi brenda disa muajsh, referuar situatës së kapitenit Ansi Agolli në Kombëtare. Në daljen e tij përpara mediave gjatë mesditës së djeshme në ambientet e FSHF- së, trajneri tha se ka bërë eksperimentime dhe prova e se tanimë ka arritur pika zero. Mirëpo, përkundrejt kësaj, në listë ka ende disa debutues në përfaqësuese. "Liga e Kombeve është vendimtare për ne. Presion? Është pjesë e punës sime, varem nga lojtarët", u shpreh ndër të tjera italiani i Kombëtares, në vigjilje të dy përballjeve me Izraelin dhe Skocinë. "I keni parë tashmë të grumbulluarit, edhe pse shumë i dinit prej ditësh. Kjo, sepse në futboll dihet gjithçka. Ju urojmë shërim të shpejtë Roshit dhe Sadikut që janë të dëmtuar. Janë dy lojtarë të rinj: Mihaj që ka zgjedhur të vijë me ne dhe Binaku. Gjithashtu edhe Demiri", ka prezantuar shkurt trajneri listën.
Sa mund ta ndiejë Kombëtarja presionin e miqësoreve të fundit?
Nis historia jonë europiane drejt "Euro 2010". Gjëja më e rëndësishme është që rikuperojmë disa futbollistë të rëndësishëm që nga qershori. Ekziston presioni që duhet të kërkojmë të shkojmë në Europian. Për këtë kam qetësi se janë kthyer disa lojtarë të rëndësishëm, të cilët përpara qershorit ishin konkurrues ndaj Spanjës, Italisë e Turqisë.
Për kapitenin Agolli u tha se ishte gjithçka e përfunduar, por është rikthyer. Të rinjtë s'japin siguri që u kthyet tek "ekspertët"?
Unë për Agollin kam thënë gjithmonë që "duhet të kërkojmë një zëvendësues në këtë vit të ndeshjeve dhe jo të kualifikueseve". Siç ia kam thënë edhe Agollit. Më pas, kur të fillojnë kualifikueset, do të shohim. Unë nuk kam thënë kurrë që nuk e thërras më. Kam thënë, "nëse do të kem nevojë për Agollin, mund edhe ta grumbulloj". Në këtë moment kemi Lenjanin që nuk luan, Memollën që nuk luan, Alijin që nuk luan, Demirin e Binakun që janë të rinj. Ansin që luan dhe nuk luan. Kemi vendosur prej eksperiencës së tij, më pas të shohim nëse do të luajë. Nëse ju i thoni gjëra të tjera, nuk është problemi im. Sepse po të doja të mos e grumbulloja, nuk e merrja dhe pikë. Por, mbi të gjitha thërrita dikë që e do Shqipërinë dhe meqë Agolli ka eksperiencë, e do Shqipërinë dhe e thirra pa asnjë problem.
Më parë përmendnit moshën 37- vjeçare, ndërsa tani eksperiencën. Çfarë ndryshoi, u bindët që është i pazëvendësueshëm për momentin?
Kam thënë që në atë vit të ndeshjeve miqësore, duhet të gjejmë një tjetër mbrojtës anësor, për çështje të moshës se do të jetë 37 vjeç. Kam thënë edhe që "nëse do të kemi nevojë, do ta thërras". Nëse pas dy vitesh kur starton Europiani dhe ai do të jetë 37 vjeç, po të jetë më i miri se të gjithë... Por, ne kemi nevojën për të gjetur një tjetër, ashtu siç edhe Karabaku ka blerë një mbrojtës të majtë. Unë dua që të bëj më të mirën për Shqipërinë dhe meqë mund të na japë një dorë tani... Pas dy vitesh, shumë gjëra ndryshojnë dhe do të shohim...
Si është situata me Meritan Shabanin, keni biseduar me të?
I kam kërkuar federatës që të bisedojë me të dhe më duhet të jem i ndershëm për këtë djalosh, i cili në këtë moment nuk ka ndërmarrë ende vendim. Këtë më kanë lënë të kuptoj prej tij dhe babait të tij. Kanë qenë të kënaqur për interesimin, por kanë kërkuar të presin.
Për Ramadanin kam dashur që të kem lojtarët më ekspertë, e nuk është për të mos e vënë atë nën presion. Sigurisht që Ramadani mbetet pjesë e grupit, por doja që të mbështetesha te rikthimi i Bashës dhe Lilajt në mesfushë. Cikalleshi ka luajtur pak. Aty ku mundesha, kam zgjedhur ata që janë më në formë. Në të tjera ku nuk mundesha, si në rastin e Mavrajt që është një lojtar i rëndësishëm dhe më duhet ta thërrisja. Mbetet për t'u parë nëse do të luajë.
Sa e keni bindjen që mund t'ia dalim ndaj Izraelit?
Jam i bindur që ky grup ka bërë mirë gjithmonë. Me gjithë lojtarët që vijnë pa minuta dhe janë të dëmtuar, do të shohim zgjidhjen sepse disa prej tyre nuk mund t'i luajnë të dyja. Është situatë që nuk na ndodh vetëm neve, e kam vënë re edhe tek Izraeli. Kam folur me Grezdën dhe me Mavrajn, edhe pse dikush ka thënë që vij pak në Shqipëri, por unë punoj gjatë gjithë kohës, çdo ditë. Mavraj ka ndjekur një punë shumë serioze me një program nga përgatitësi atletik. Grezda bën një punë të mirë. Mavraj ka eksperiencë, por për fat të keq, nuk mund t'i bëjë të dyja ndeshjet. Xhaka sapo është kthyer, me 90 minuta në Kupë dhe disa në kampionat, por është lojtar me karakter dhe i mësuar të ' nxjerrë zjarr' dhe mund të na japë një dorë. Grezda driblon në 1 kundër 1.
Strakosha po luan dhe Berisha jo, a ndryshojnë hierarkitë e portës?
Ky është i fundit problem që kam. Janë dy portierë të zotë, por në këtë moment Berisha po luan pak dhe Strakosha po luan gjithmonë. Janë dy portierë që ofrojnë besim dhe siguri. Kur zgjedh emrin e parë të formacionit jam i sigurt, për të tjerët... mendohem. Në fakt, dy të parët ( referuar portierit dhe Hysajt) ( qesh...). Për fat rikuperojmë mesfushën: Basha, Memushaj e Xhaka, të cilët s'i kishim. Edhe Lila.
Si do ia bëni që të rikthe- ni dëshirën për të luajtur te lojtarët?
Nuk dua që të konsumoj energji negative, duke menduar për ato ndeshje sepse më vjen të shpërthej.
Pas miqësoreve të fundit presidenti Duka ka deklaruar se "pret reagim të skuadrës në shtator". A ju vendos nën presion?
Sigurisht që duhet reagim. Jo, nuk më vendos nën presion! Nën presion duhet të vihet i gjithë grupi, e gjithë federata. Kam takuar presidentin dhe kemi diskutuar për të gjitha "pse- të". Më vjen keq që nuk është kuptuar situata dhe çfarë ka ndodhur. Kemi analizuar të gjithë motivet. Kam bërë prova dhe thërritur të rinjtë. Kam lënë në shtëpi ekspertët. Tani është zero gjithçka, dhe nis historia e vërtetë e Kombëtares në këtë Europian. Të gjithë eksperimentet i kam bërë duke marrë rrisqe dhe duke parë çfarë ndodh. Presioni bën pjesë në punën time dhe sigurisht që kur nuk fiton dy ndeshje, shtohet presioni. Por, unë varem nga lojtarët dhe tani kemi rikuperuar disa të rëndësishëm.