Shtyhet votimi i ligjit për Teatrin, pritet ekspertiza nga Komisioni Europian
Maxhoranca në pritje të ekspertizës nga Komisioni Europian, fiton dhjetë ditë kohë me dekretin e Presidentit
Konferenca e Kryetarëve ka rrëzuar dje kërkesën e opozitës për të miratuar në seancën e datës 13 shtator dekretin e Presidentit, Ilir Meta, i cili i ktheu për rishqyrtim ligjin e Teatrit Kombëtar.
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, e para për këtë sesion të ri kuvendor, demokratët kanë këmbëngulur që ligji i Teatrit të rrëzohej, pasi ai është shpallur antikushtetues. “Ne si opozitë kërkojmë nga ju që të miratoni dekretin e Presidentit, i cili e rrezoni ligjin e Ramës për Teatrin Kombëtar si në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Ne propozojmë që dekreti të votohet në seancën e datës 13 shtatorit, në të kundërt situata do acarohet e askush nuk di çdo ndodhë më pas”, mësohet të jetë shprehur Spaho. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura maxhoranca nuk e ka pranuar kërkesën e PD- së, ndërkohë që ka propozuar shtyrjen e shqyrtimit të ligjit për Teatrin për në datën 20 shtator. Ne emër të shumicës, Eduard Shalësi, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, përgjegjës për këtë ligj, ka thënë se shumicës i nevojitej më shumë kohë në dispozicion për të nisur shqyrtimin e dekretit të Presidentit. Ai ka thënë se data e parashikuar në kalendar ishte 13 shkurti, ndërkohë që PS kërkoi që në seancë dekreti të votohej më datë 20 shtator. Gjatë diskutimit, Kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi mësohet të jetë shprehur se shtyrja ishte e panevojshme. “Çfarë ju duhet koha, silleni menjëherë dekretin, ne e kemi mësuar përmendesh”, ka thënë Vokshi. Por, pas diskutimeve, palët nuk ranë dakord për ta miratuar kalendarin e punimeve me konsensus.
EKSPERTIZA Burime nga maxhoranca bënë të ditur se dekreti i Presidentit nuk do të kalojë në komisionet parlamentare deri të mërkurën tjetër. Socialistët kërkojnë të fitojnë më shumë kohë, pasi për ligjin e Teatrit Kombëtar pritet të shprehet edhe Komisioni Europian.
Këtë fakt e konfirmoi dy ditë më parë ambasadorja në largim e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, e cila tha se kishte kërkuar ekspertizë nga kolegët në Komisionin Europian. Sipas saj: “Ligji është dërguar në Bruksel për ekspertizë dhe kthimi i përgjigjes është vonuar për shkak të pushimeve verore. Për momentin, shërbimet tona janë ende duke shqyrtuar disa detaje lidhur me këtë ligj. Kam folur me kolegët e mi në Bruksel dhe shpresoj që shumë shpejt shërbimet do të vijnë me përgjigje mjaft precize, pasi kishte disa çështje dhe ata donin të bënin disa pyetje shtesë. Fakti që ishte verë dhe pushim nuk ndihmoi, pasi shumë njerëz nuk ishin në punë, por, siç e thashë, kam kontaktuar dhe ata do të dalin me një reagim. Kjo është një çështje që ka të bëjë me konkurrencën, me çështjet e prokurimit dhe mendoj që është më mirë për të gjithë të tregojnë pak durim e të presin Komisionin Europian dhe drejtoritë e përgjithshme përkatëse që të japin vlerësimin e tyre për këtë ligj”, ka thënë Vlahutin.