DREJTORI I THESARIT Të përndjekurit, si do ndahen këstet e fundit
Parlamenti vendos kalimin e ligjit me procedurë të përshpejtuar. Kreu i Thesarit: Të përndjekurit, brenda shtatorit do marrin këstin e 9
Ish- të përndjekurit e kategorisë parësore brenda muajit shtator do të tërheqin këstin e 9 të dëmshpërblimit. Qeveria synon që brenda vitit të mbyllë këstin e 10 të dëmshpërblimit për këtë kategori.
Lajmi i mirë për përfitimin e dëmshpërblimit të ish- të përndjekurve e njoftoi drejtori i Thesarit, Lavdërim Sahitaj. Drejtori i Thesarit në Ministrinë e Financave, Sahitaj në intervistën për "News 24", duke folur për ndryshimet e ligjit të ish- të përndjekurve shpjegoi se është rishikuar raporti i ndarjes së fondit, ku 70 për qind i vihej në dispozicion kategorisë parësore, ndërsa pjesa e mbetur trashëgimtarëve. Me ndryshimet që i janë bërë ligjit, ishtë përndjekurit, që kanë në total vlerën e dëmshpërblimit në 1 milion lekë do ta përfitojnë në një këst të vetëm. Ndryshimet e ligjit pritet të miratohen shumë shpejt nga Kuvendi, të cilat do të miratohen me procedurë të përshpejtuar.
SI DO TË NDAHET DËMSHPËRBLIMI
Drejtori i Thesarit në Ministrinë e financave, Lavdërim Sahitaj, shpjegoi edhe se si do të ndahen këstet për ish- të përndjekurit. "Qeveria ka kaluar projektligjin për disa ndryshime në ligjin për të përndjekurit politik. Këto ndryshime konsistojnë në tri pika kryesore ku bëhet fjalë për kategoritë parësorë që janë të gjallët, të cilët ishin bllokuar për momentin për shkak të kufizimit që kishte ligji. Ky kufizim konsistonte në faktin që kishte një tavan nga kësti në këst dhe ky tavan ishte 1 milion, lekë të reja maksimumi. Për një të përndjekur politik i cili kishte më tepër se 8 milionë lekë të reja për të marrë, i bie që të pezullohej ky proces dhe tani me heqjen e kësaj klauzole procesi do vazhdojë normalisht për të marrë këstin e 9,10 ose 11", u shpreh Sahitaj.
PËRFITUESIT
Ish- të përndjekurit, të cilët nuk kanë probleme me dokumentacionin, brenda muajit shtator do të tërheqin këstin e nëntë të dëmshpërblimit. Përfitues të këstit të 9 do të jenë 200 ish- të përndjekur. Drejtori i Thesarit tha se ndry- shimet ligjore favorizojnë shpërndarje më të shpeshtë të kësteve. "Fondi do të çelet për të gjithë dhe pagesa do të kryhet pa dallim kriteri dhe ky është lajm i mirë se këstet do të bëhen më të shpejta. Për të gjithë ata që kanë dokumentacion të saktë, ne do vazhdojmë këstin e 9. Besoj që brenda muajit shtator kjo pagesë do të kryhet dhe nëse nuk kemi problem, brenda vitit do shlyejmë të 10- in. Numri i këtyre të përndjekurve është 200 të gjallë që do të vazhdojnë këstin e 9 dhe 10 në varësi të shumës së ngelur. Kush ka më pak se 1 mln të reja, ai do t'i marrë me një këst dhe jo më të ndara", tha Sahitaj. Drejtori i Thesarit tha se për përfituesit është lehtësuar edhe dorëzimi i dokumentacionit. "Probleme në dokumentacion ka pasur, por janë reduktuar në masë, pasi nga 5 dokumente, ne tre i printojmë vetë, kjo pasi qytetari plotëson një deklaratë dakordësie, që janë certifikata e lindjes, vdekjes dhe familjare", u shpreh Sahitaj.
SI NDRYSHON NDARJA E FONDIT
Kompensimi i ish- të përndjekurve, që janë ende gjallë, po shkon drejt përfundimit. Sipas analizës të Ministrisë së Financave rezulton se kategoria parësore tashmë është likuiduar thuajse në masën 90 për qind, me tetë këstet, ndërkohë që ka mbetur diferenca e palikuiduar. Projektligji synon rishikimin e mekanizmit të shpërndarjes së fondeve të vëna në dispozicion, duke i dhënë prioritet likuidimit të plotë të ish- të përndjekurve të regjimit komunist, të cilët janë ende në jetë. Sahitaj shpjegon se për këtë qëllim është rishikuar raporti i ndarjes së fondit, 70 për qind i vihet në dispozicion kategorisë parësore dhe pjesa tjetër i shpërndahet kategorisë së trashëgimtarëve. "Ndryshimi i dytë kishte të bënte me ndarjen e raportit të fondit, siç jeni në dijeni në 2014- n u bë një ndryshim në ligj. Ky ndryshim konsistonte në ndarjen joprofesionale të fondit. Pra, nëse në fillim të 2009- s fondi çelej i përbashkët dhe duke parë rëndësinë që kishte kategoria parësore, u ndërhy në ligj duke iu çelur 70 për qind kategorisë parësore dhe 30 për qind trashëgimtarëve dhe kjo bëri të mundur që ne, në harkun kohor për tre vjet, arritëm të shlyejmë 6 këste dhe likuiduam pjesën më të madhe të kategorive", shpjegoi Sahitaj.