Veseli: S’doja që Vuçiç të shkonte në Ujman, por ndërhynë ndërkombëtarët
Kryeparlamentari i Kosovës dhe kreu i partisë PDK, Kadri Veseli, ka rrëfyer të vërtetën e tij pas largimit të Vuçiç nga Kosova, duke pohuar se ka pasur presion nga ndërkombëtarët që të lejonin Presidentin serb të vizitonte Kosovën ku të dëshironte, edhe në Liqenin e Ujmanit ku zyrtarët e Prishtinës nuk ishin dakord. Veseli ka folur për dialog me Serbinë dhe ka shprehur keqardhjen që Aleksandar Vuçiç s'ka pasur siguri kur ka mbajtur konferencën mbi pendën e Liqenit të Ujmanit. "Konsideroj se demonstrimi mbi pendën e Ujmanit ka qenë demonstrim i pastër i logjikës së hegjemonisë politike, por po ashtu edhe kundër çdo rregulli të sigurisë, pasi nuk ka asnjë lloj praktike demokratike që garanton masa të sigurisë për të mbajtur konferencë shtypi mbi pendë", ka shkruar Veseli. Ai pohoi se ishte kundër vizitës së Vuçiç në Ujman, por është dorëzuar para presioneve të ndërkombëtarëve dhe ka pranuar që Shefi i Shtetit serb të shkojë nga të dojë nëpër Kosovë. "Në bazë edhe të traditës shtetërore, nuk kam dashur të deklarohem para përfundimit të vizitës së tij në Kosovë. Dua të theksoj se kam qenë kundër vizitës së tij në Ujman, pasi kam konsideruar se një veprim i tillë nuk i kontribuon paqes dhe dialogut në këtë kohë. Por, me insistimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, e lejuam", tha Veseli. Ai nuk ka komentuar për protestën në Drenicë, por tha se Vuçiç bëri veprime si të Millosheviçit dikur. "Gjithsesi, vizita e tij konsideroj se ishte mirë që ndodhi, sepse edhe një herë u dësh- mua se liderët e Serbisë po e vazhdojnë traditën e Sllobodan Millosheviçit. Se ata nuk vijnë për të ndihmuar e mbrojtur serbët në Kosovë, por vijnë për të promovuar vetën. Si gjithmonë me retorikë të vjetër dhe kundër së ardhmes paqësore. Tentimet për të na bllokuar në ecjen tonë, vizitat e shpeshta me tone provokuese në këto 19 vjet, na dëshmojnë se ne duhet të mendojmë dhe angazhohemi edhe më shumë për forcimin e shtetit të Kosovës". Deklaratës së tij i është kundërpërgjigjur ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, duke thënë se Presidenti serb "ka sjellë porosinë e paqes dhe jo retorikën e luftës". Stefanoviç tha se: "Pyes para se gjithash Kadri Veselin, nëse ka problem me dëgjimin ose kishte përkthyesin e keq, pasi nuk ekziston asnjë fjali e vetme e Vuçiç gjatë qëndrimit në Kosovë, e cila mund të vlerësohet si një retorikë lufte", tha ai për agjencinë "Tanjug". Në të vërtetë, Veseli nuk ka përmendur kurrë përcaktimin "retorikë lufte" në komentin e tij.