“Vera n’Shesh”, Veliaj: Risi për të promovuar produktet vendase
Muzikë e mirë, produkte që mbajnë vulën “Made in Albania” dhe një mjedis i rrethuar nga gjelbërimi është gjithçka që mund të duhet për një fundjavë relaksuese. Dje banorët e zonës së Ndroqit janë bërë bashkë, duke ekspozuar në stendat e ngritura produkte vendase dhe të kulinarisë. “Vera n’Shesh” ishte risia e këtij viti që synon të kthehet, sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, në një traditë të bukur për promovimin e produkteve vendase, por edhe vendosjen e zonës në hartë si atraksion turistik. “Kjo festë është një risi për t’u bërë apel ndjenjave pozitive, ndjenjës që kemi për tokën ku kemi lindur, për bujqësinë, për shtëpinë e gjyshit, për të afërmit, ndjenjën që kemi për rrethinat e Tiranës. Mendoj se sot kemi hedhur gurin e parë të një feste, ndoshta për herë të parë modeste, me njerëz të ardhur nga çdo cep i Tiranës, e cila e ka shansin të kthehet në një traditë të bukur”, tha Veliaj. Ai kërkoi prej banorëve të zonës që të orientohen drejt zhvillimit të agroturizimit dhe të përfitojnë nga fondet e vendosura në dispozicion nga Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR- ja për zhvillimin e këtij biznesi. Kryebashkiaku nuk harroi t’u bënte thirrje qytetarëve që të konsumojnë vetëm produkte të zonës, duke kontribuar edhe në rritjen e ekonomisë lokale. Ai siguroi se festa të tilla do të kthehen në traditë për kryeqytetin për të promovuar dhe rritur emrin e markave vendase. “Vera n’Shesh” është një nga projektet e fituara nga Bashkia e Tiranës në konkursin e parë kombëtar të quajtur “Festat Lokale” për nxitjen e zhvillimit të festivaleve tradicionale me fokus rreth aktiviteteve gastronomike dhe tradicionale, rreth aktiviteteve kulturore, fetare dhe historike.