Franca përgjumet, Zhiru dënon Holandën
Në ndeshjen në të cilën Franca përqafoi sërish kampionët e botës, trajneri Didier Deshamp hodhi në fushën e lojës edhe një herë tjetër heronjtë e Moskës, të gjithë përveç portierit Loris të dëmtuar dhe dy muaj pasi kaluan Kroacinë në finale, i dhanë një goditje edhe Holandës, në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve. Në "Saint- Denis" ishte një festë totale, edhe pse drithërimat nuk munguan. Pas golit të shpejtë të Mbapesë, Franca gaboi duke menduar se ndeshja ishte e mbyllur, por pavarësisht reagimit të "tulipanëve" me Babelin, kampionët e botës konfirmuan edhe një herë forcën e tyre, duke gjetur fitoren me një gol të të shumakuzuarit Zhiru, i cili rrëmbeu skenën, me një kthesë spektakolare fluturimthi, e cila gjunjëzon 2- 1 Holandën dhe dërgon në 4 pikë "gjelat".
Ndeshja - Në pjesën e parë u duk e njëjta Francë që fitoi duke merituar Botërorin, me Deshampin që hedh në fushë një formacion 4- 4- 2 të maskuar në një 4- 2- 3- 1, duke parë pozicionet e Kantesë dhe Matuidit disi larg njëri- tjetrit në fazën sulmuese, por të hekurt ku i kërkohet të mbrojnë. Dhe ashtu si në aventurën ruse, kundërsulmi i bluve është vrastar, me Mbapenë që pasi fillimisht kishte parë Sillesenin që t'i ndalte me trup një gol të sigurt, në të 14- ën dërgon lehtësisht në rrjetë një pasim të Matuidit. "Tulipanët" ndëshkohen shpejt, por mbeten në pritje, madje duke shfrytëzuar edhe përgjumjen e fillimit të pjesës së dytë të francezëve, duke barazuar me Babelin, që mbyll në mënyrën perfekte një aksion në shpejtësi të portokallinjve. Por edhe pse Franca çaloi për disa minuta, diti që të kompaktohet sërish dhe pasi mori kontrollin e lojës i mjaftuan vetëm shtatë minuta pas golit të barazimit ( 74') me kthesën fantastike të Zhiru, që meriton duartrokitjet e të gjithë stadiumit. Në fund, Holanda duhet të dorëzohet, por për "tulipanët" sinjalet që vijnë janë më se pozitive, duke menduar që vetëm një vit më parë, në Paris shkatërroheshin 4- 0 dhe u jepnin fund shpresave për të shkuar në Botëror. Trajneri Kuman po vlerëson në maksimum cilësitë e talenteve si Frenki De Jong, mesfushorit 21- vjeçar të Ajaksit dhe pse jo, më 13 tetor, do të tentojë që të frikësojë edhe Gjermani, pasi e bëri mbrëmë këtë me Francën.