Meta: Kombi ynë ka vuajtur për demokraci, duhet ta mbrojmë
Kreu i shtetit, Ilir Meta, mori pjesë dje në promovimin e librit "Demokracia nuk pret", të gazetarit shqiptaro- amerikan, ishdrejtorit të "Zërit të Amerikës", Frank Shkreli. Në këtë promovim, Meta ka qëndruar në shoqërinë e ish- Kryeministrit Sali Berisha, njëherësh ish- aleatit të tij në qeverinë e vitit 2009. Meta dhe Berisha janë fotografuar së bashku, duke qeshur gjatë këtij aktiviteti. Kreu i shtetit në fjalën e tij ka thënë se demokracia duhet ruajtur dhe mbrojtur me çdo kusht. Presidenti ka thënë se demokracia duhet zhvilluar dhe se kombi ynë ndër vite e ka vuajtur shumë mungesën e demokracisë. "Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për kontributin që vazhdon të japë zoti Shkreli edhe sot e kësaj dite, falë përvojës që ka dhe aftësisë së të shprehurit e artikulimit në këtë drejtim, që ne të garantojmë një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, për Kosovën, për mbarë kombin tonë. Libri ' Demokracia nuk pret' është një vepër e mrekullueshme, sepse demokracinë nuk ta dhuron askush dhe demokracinë duhet ta fitosh dhe mund ta fitosh çdo ditë e më shumë, por edhe mund ta humbasësh çdo ditë e më shumë. Në këtë drejtim, vepra e zotit Shkreli është edhe një shkundje për të gjithë, për rëndësinë që ka demokracia. Ajo nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Demokracia duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duhet zhvilluar sipas standardeve më të avancuara dhe siç e meriton një komb si i yni, që ka vuajtur shumë nga mungesa e saj", ka thënë Meta. Ndërkohë, në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta ka vlerësuar kontributin e Frank Shkrelit dhe karrierën e tij të spikatur, e cila kulmoi dhe në administratën amerikane. "Karriera e z. Shkreli është vërtet një histori suksesi e një shqiptari, i cili falë sakrificave të tij dhe të familjes, arriti të edukohet e të ngrihet në nivelet më të larta të administratës amerikane. Për kontributin e tij të spikatur sa i takon forcimit të identitetit kombëtar, denoncimit të izolimit komunist në Shqipëri, denoncimit të shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në ishJugosllavi, të sensibilizimit për çështjen e Kosovës, për ruajtjen dhe kultivimin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri, një çështje mjaft e rëndësishme jetike dhe ekzistenciale për kombin tonë, ai është bërë mjaft i njohur dhe i vlerësuar nga të gjithë ne. Theksoj se në këto kohë të globalizimit, ajo që ne nuk duhet të harrojmë si një vend e si një komb modest, për t'iu shpëtuar të gjitha rreziqeve që na kanosen, është të forcojmë identitetin kombëtar", ka thënë dje Presidenti.