Shumica rrëzon dekretin e Presidentit, Ahmetaj: E kanë keqkëshilluar
"Në 1 janar nuk do të ketë më në qytet kazino elektronike, do të largohen nga qyteti. Lotot do të jenë çdo 100 metra"
Maxhoranca ka rrëzuar dje me 74 vota pro dhe asnjë kundër dekretin e Presidentit Ilir Meta, i cili ktheu për rishqyrtim në Kuvend nenin 6 të ligjit për taksat kombëtare.
Sipas kreut të shtetit, ligji favorizonte kompanitë e lojërave të fatit, por ky pretendim është hedhur poshtë nga maxhoranca. Për rrëzimin e dekretit kanë votuar pro edhe tre deputetët e larguar nga Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet, edhe pse Shpëtim Idrizi deklaroi largimin zyrtar nga koalicioni me Edi Ramën. Po ashtu, votë për rrëzimin e dekretit ishte dhe ajo e deputetit të Lezhës, Gjetan Gjetani, i cili u përjashtua nga Grupi i Socialistëve. Përpos kësaj, ai ka vazhduar të qëndrojë në vendimin e tij dhe të votojë në unison me socialistët.
QËNDRIMI Pretendimet e Presidentit për përkrahje të bizneseve të lojërave të fatit janë hedhur poshtë nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ai tha se qeveria ka ulur taksat për fermat bujqësore dhe është rritur taksa për Lotarinë Kombëtare. Për Ahmetajn, Presidenti është keqkëshilluar nga personat që e ndihmojnë për çështjet e financave. "Një qytetar apo kushdo qoftë thotë: Po si ka mundësi që Presidenti i Republikës e ka rrëzuar këtë ligj. Është gjë Presidenti Republikës kundër bujqësisë? Sigurisht që jo. Është Presidenti kundër këtij biznesi që i ulëm fashën? E bëmë nga 15% në 5 për qind. Jo, është gjë Presidenti në mbështetje që gjithë lojërave të fatit t'i ulet ngarkesa fiskale? Jo. Besoj se në dekretin e Presidentit ka një keqkuptim. Dikush që ka për detyrë të jetë më dilixhent me letrat, e ka këshilluar Presidentin në këndvështrimin tim gabim", tha Ahmetaj. Më tej, Ministri i Financave tha se akuzat janë thjesht politike dhe se sipas tij lotaria Kombëtare ishte i vetmi biznes që taksohej më pak në Republikën e Shqipërisë. "Ajo që në bëjmë këtu është kaq e thjeshtë, ne i rrisim tatimfitimin në konceptin e shkruar në ligjin e viti 2015, Lotarisë Kombëtare nga 10 % në 15 %. Ku është këtu ulja e ngarkesës fiskale? E para dhe e dyta që është po kaq e rëndësishme, mos harroni që Lotaria Kombëtare që taksohet jo 15%, por 10%. Po pse ta linim ne që një kompani të taksohej më ulet? S'kishim arsye. Pra, unifikuam taksimin dhe për këtë arsye dua t'u kujtoj të gjithëve se që gjithë boloria e debatit emocional se kush është kundër lojërave të fatit, është qesharake", tha Ahmetaj.
ULTIMATUMI Ministri i Financave dhe Ekonomisë, gjatë fjalës së tij, u ka dhënë dhe një ultimatum lojërave të fatit, si kazinotë apo edhe lotosporteve, që të marrin masa dhe të largohen nga qytetet. Ahmetaj tha se në 1 janar të vitit 2019, do të zbatohet në mënyrë të përpiktë ligji për lojërat e fatit dhe të gjitha kazinotë të zhvendosen në periferi apo në hotele me 5 yje. "Tani po vijmë në një moment shumë interesant të zbatimit të ligjit, 1 janar 2019. Dua që ta deklaroj për qytetarët, sepse deputetët e dinë shumë mirë, e kemi diskutuar në vazhdimësi, nuk do të ketë shtyrje të ligjit për sa i përket largimit të kazinove elektronike nga qytetet. Në 1 janar, nuk do të ketë më në qytet kazino elektronike. Do të largohen nga qyteti dhe këtë vendim e ka marrë kjo maxhorancë, e ka marrë maxhoranca e Partisë Socialiste të Shqipërisë, qeveria e Partisë Socialiste të Shqipërisë, ajo e ka marrë këtë vendim. Në 1 janar, dua ta ndaj me qytetarët, me kompanitë dhe me ju, nuk do të ketë më kazino elektronike në qytete. Në bazë të ligjit, kazinotë elektronike do të largohen në zona ku me ligj do të lejohet ky aktivitet, që nuk ka lidhje me zonat e urbanizuara. Largohen nga qytetet. E dyta, në bazë po të definicionit të ligjit, do të ushtrohen klauzolat e rrallimit të zyrave të basteve, 1 në 100 metra, jo 1 në 10 m, 1 në 15 m, 1 në 30 m", ka thënë dje ministri i Financave.