PROCEDURA E VLERËSIMIT, NEGOCIMIT DHE LIDHJES SË KONTRATËS
1. Bashkia e Tiranës, në datën e hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për ngritjen e Komisionit, publikon në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në faqen e saj zyrtare, njoftimin për depozitimin nga çdo palë e interesuar të propozimeve për zhvillimin e zonës urbane të Teatrit. 2. Çdo palë private e interesuar mund të paraqesë projektin për zhvillimin e Zonës se Teatrit dhe të depozitojë dokumentacionin përkatës pranë Bashkisë Tiranë, brenda 45 ditëve nga dita e publikimit të njoftimit. 3. Komisioni, bazuar në kriteret kualifikuese dhe vlerësuese dhe në dokumentet shoqëruese të depozituara, brenda 30 ditëve nga dita e përfundimit të afatit sipas pikës 5 të këtij neni, miraton dhe shpall klasifikimin e palëve të interesuara. Në rast se asnjë nga propozimet e paraqitura nga palët private nuk përmbushin kriteret, Komisioni vendos përfundimin e këtij procesi, si një procedurë e pasuksesshme. 4. Në rast se asnjë nga palët e interesuara nuk paraqet ankim në lidhje me klasifikimin e shpallur nga Komisioni, sipas pikës 6 të këtij neni, klasifikimi i miratuar nga Komisioni konsiderohet përfundimtar 5. Çdo palë private ka të drejtë të paraqesë ankim, brenda 5 ditëve, tek Kryetari i Bashkisë Tiranë, i cili e shqyrton atë brenda 5 ditëve nga marrja e ankesës. Kryetari i Bashkisë Tiranë vendos : a. Konfirmimin e klasifikimit të bërë nga Komisioni; ose dërgimin për rivlerësim Komisionit. 6. Në rastin e kthimit për rivlerësim, Komisioni e kryen atë brenda 10 ditëve dhe e përcjell klasifikimin e kryer tek Kryetari i Bashkisë. Nëse Kryetari i Bashkisë, pas vlerësimit të dytë nuk është dakord me vlerësimin e Komisionit procedura anulohet, si një procedurë e pasuksesshme. 7. Komisioni vazhdon negociatat me palën private që është renditur e para në klasifikimin e shpallur prej tij, deri në dërgimin e projekt- kontratës dhe relacionit përmbyllës të negociatave tek Kryetari i Bashkisë ose personi i autorizuar prej tij. 8. Afati për negocimin dhe hartimin e projekt- kontratës finale me palën private të përzgjedhur nuk duhet të jetë më shumë se 45 ditë nga data e shpalljes së klasifikimit përfundimtar. 9. Kur pala private e përzgjedhur nuk vazhdon negociatat me Komisionin brenda një afati prej 5 ditësh, atëherë Komisioni fton për negociata palën private të klasifikuar i dyti.