DEBATI NE KOMISIONIN E LIGJEVE
Alket Hyseni: Shoh që ka një kërkesë masive nga institucionet për këshilltarë ekonomikë. Unë po paraqes opinionin tim, por gjykoj që nuk është vetëm i imi, por edhe i shumë kolegëve dhe opinionit publik. Mos vallë, këto institucione kanë harruar që kanë tre komponentë vlerësimi në punën e tyre, që është komponenti profesional, por edhe pastërtia e figurës dhe janë futur në një proces teknik të verifikimit pasuror, duke e shndërruar procesin thjesht në një strukturë të re të verifikimit të pasurisë. Pra, kemi ILDKPInë dhe tashmë po dalim në një strukturë të re dhe mendoj që po i çalon procesi. Bashkim Fino: S’ka lidhje me strukturën kjo. Alket Hyseni: Ka lidhje me strukturën z. Fino. Bashkim Fino: Jo, jo, nuk e kisha me ju unë. Alket Hyseni: Unë mendoj se po i ikën sharmi këtij procesi. Qytetarët shqiptarë nuk kanë pritur vetëm që të nxjerrim nga radhët një gjyqtar apo një prokuror, të cilit mund t’i mungojnë disa qindra mijë lekë në justifikimin e tij në kushtet kur ekonomia jonë dihet që ka qenë informale dhe jam i bindur që edhe vetë anëtarët e komisionit mund të kenë vështirësi për të justifikuar disa qindra mijëra lekë apo disa milionë lekë me dokumentacion legal. Jam i shqetësuar, pasi mendoj që fokusi duhet të jetë edhe tek elementi profesional. Mund të jenë shumë të rralla rastet ku është diskutuar në lidhje me paaftësinë profesionale të trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Unë mendoj se është një aspekt shumë i rëndësishëm. Ka mes tyre gjyqtarë dhe prokurorë të paaftë profesionalisht, që duhet të diskutohen. Ndërkohë që shumica e procedimeve po mbyllet vetëm me komponentin pasuror. Prandaj, edhe kërkesa juaj vjen për këshilltarë ekonomikë dhe doni nga një këshilltar ekonomik për kokë. Mua më duket, zoti relator, që ju, me bujarinë tuaj, ia dhatë të gjitha dhe unë e kuptoj që duhet t’ia japim politikisht.
Bashkim Fino: Jo, jo, s’ia dhashë politikisht unë.
Alket Hyseni: Ne ia japim që të mos kemi kontestime, që të thonë që nuk ia dhamë. Unë jam pro që t’ua japim. Ju keni një proces pune shumë të vështirë dhe delikat, por duhet ta bëni ashtu siç kërkesat kushtetuese dhe ligjore janë. Jo vetëm me një komponent dhe hap krahun dhe ec. Si ka mundësi që nuk shqyrtohen problematikat, kur një gjyqtari i janë prishur pothuajse mbi 50% e çështjeve të tij nga Apeli dhe Gjykata e Lartë. Për mua, kjo do të ishte e mjaftueshme për të vlerësuar të paaftë profesionalisht dhe s’ka rëndësi nëse ai nuk justifikon dot 700 mijë lekë të pasurisë së tij. Shqiptarët mund ta justifikojnë moralisht një gjyqtar nëse nuk i gjen dot faturat për disa të ardhura, por nëse ju i thoni se ai gjyqtar ka gabuar mbi 50% të vendimeve aty, do e kuptojnë se ai është i paaftë profesionalisht.
Bashkim Fino: Në strukturën që kemi miratuar para një viti, unë shoh që numri i këshilltarëve ekonomikë është shumë i vogël. Numri i dosjeve të veprimeve ekonomike është shumë i madh. Nëse gjyqtarët janë të prirur të japin një vendim, por presin konfirmimin e këshilltarit ekonomik, ky proces vonohet. Ajo që ne po bëjmë sot nuk është politike. Unë vërtet jam njeri politik, por jam edhe relator dhe jam marrë shpeshherë me buxhete dhe struktura dhe them se numri i këshilltarëve është shumë i ulët dhe duhet të ecin paralelisht si pjesa juridike, ashtu edhe ajo ekonomike.