“Si u fut leka Zogu në listën e kriminelëve, kur ishte 5 vjeç”
“Historiografia komuniste përpunoi një format të “të mirit” dhe të “të keqit”, të patriotit dhe të tradhtarit”
mbi bazën e kontributit real që personazhet kanë dhënë ndaj vendit.
Për këtë arsye, edhe Ramiz Alia e Leka Zogu qëndronin përballë njëri - tjetrit, midis disa qindra të tjerëve, elita e Shqipërisë, të ftuar në atë pritje, e cila ishte po aq e paaftë sa ata vetë për të bërë një definicion të aksionit të të dyve!
Ndarja e historisë në patriotë dhe tradhtarë, pra versioni të mirit dhe të keqit, është padyshim defekti më i madh që historiografia komuniste ka lënë pas në shoqërinë e sotme. Ky stereotip vijon ende, madje shërben jo rrallë edhe si element i luftës verbale politike. Zhbërja e tij duket e vështirë sa për arsye të rrënjosjes së thellë të ardhur nga tekstet apo propaganda e viteve të komunizmit, aq edhe nga paaftësia e historianëve postkomunistë për të ndërtuar tekste të besueshme dhe të mbështetura mbi dokumente. Më shumë se sa për të treguar të vërtetën, dokumentet zgjidhen dhe jo nuk shërbejnë për të ilustruar idenë e parafiksuar. Kjo është arsyeja, që edhe përzgjedhja dhe publikimi i tyre është selektiv. Por ky shikim bardhë e zi i ngjarjeve, fenomeneve dhe personazheve nuk është gjymtimi i vetëm që historiografia komuniste dhe vijimi i saj i ka bërë formimit të shqiptarëve.
Dy fenomene të tjera po kaq negative janë ai i kërcënimit të përjetshëm dhe i armikut të përhershëm, që ka ndikuar fort në sindromën e izolimit të shqiptarëve. Dhe i dyti, trajtimi i historisë sonë, thjesht, si një histori qëndrese, duke lënë jashtë vëmendjes dhe duke mos trajtuar periudha të tëra historike të jetesës së shqiptarëve në formacione shumetnike.
Nëse u referohesh teksteve të historiografisë komuniste, filozofia e tyre ka qenë ajo e një populli të rrethuar dhe të izoluar, në luftë të përjetshme me të gjithë. Identifikimi i regjimeve totalitare me kombin ishte thuajse normë dhe kjo sillte një sindromë të armikut të përhershëm. P. sh., Perandoria Osmane njësohej me turqit dhe detyrimisht, Turqia shihej si një armik. Ndërkohë Turqia moderne kishte të bënte pak ose aspak me Perandorinë Osmane, sidomos me ekspansionin e saj 500 vjet më parë; Gjermania Naziste identifikohej me Gjermanët, duke i konsideruar ata apriori armiq, edhe 50 vjet pas luftës. Kjo metodologji ndikonte tej mase në idenë e vetizolimit, duke e kthyer atë te shqiptarët në një sindromë me peshë. Një sindromë nga e cila nuk jemi shëruar ende. Pra, vendet nuk janë parë si regjime që në kohë të ndryshme kanë dhënë e kanë marrë, apo edhe kanë luftuar, por si kombe të cilat si pasojë e një momenti historik, konsiderohen kërcënim permanent për ne. Për këtë arsye, sindroma e Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte ikur ende nga Shqipëria deri në vitin 1990, edhe 45 vjet pas mbarimit të saj.
Fiksimi i shikimit të historisë sonë si një histori qëndrese ka sjellë, më pas, një deformim jo të vogël të periudhave të tëra. Periudha 5- shekullore e shqiptarëve në perandorinë osmane thuajse nuk ekziston. Ajo është reduktuar në një seri kryengritjesh, një pjesë e të cilave ishin lëvizje proteste për autonomi fetare apo favore fiskale. Kjo e ka lënë thuajse bosh rolin që shqiptarët kanë luajtur në Ballkanin Osman dhe mënyrën e stilin e jetës së shqiptarëve në këtë perandori. Disa përpjekje të zbehta janë bërë kohët e fundit, por ende pa kontributin e duhur për të sqaruar se si ka qenë jeta, rregullat dhe kontributi që shqiptarët kanë pasur në Perandorinë Osmane bashkë më shumë popuj të tjerë. Të jetuarit në një perandori ka qenë në mesjetë formë e organizimit politik. Në perandori kanë jetuar edhe popuj më të mëdhenj dhe të më të zhvilluar sesa ne. Kjo nuk na bën as më inferiorë, as më të dobët. Ideja që bashkëjetesa në perandori ka qenë moment dobësie, është thjesht derivat i tezave të komunizmit për një popull të izoluar që kërkonte dhe donte të jetonte thjesht i vetëm.
Një popull që nuk di të vlerësojë të shkuarën e tij e ka gjithnjë të vështirë ndërtimin e së ardhmes. Kjo frazë që shpeshherë duket si shabllon, i shkon më shumë se kushdo tjetër momentit që përmenda në fillim të shkrimit. Ngrirjes përballë të Ramiz Alisë dhe Leka Zogut, pa guxuar të përshëndeten, por edhe pa asnjë dëshirë për të vijuar më pas grindjet e tyre. Secili i bindur se kishte pasur një rrugë të drejtë dhe historia që ende nuk ka mundur ti vendosë të dy në vendin që meritojnë... ( Titulli i autorit: Historia e gabuar e “të mirit”
dhe “të keqit”)