Trekëndëshit të Bermudës i duhet thyer një brinjë (!)

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - BISLIM AHMETAJ

Përlexuesin e thjeshtë më duhet të jap nja dy a tri shpjegime të vogla se çfarë është “Trekëndëshi i Bermudës”. Nga ana gjeometrike është një trekëndësh barabrinjës, i cili gjendet në Oqeanin Atlantik me një sipërfaqe 1.2 milionë metra katrorë dhe që ka për kënde Bermudën, Porto Rikon dhe Fort Loterdejt ( Florida)...

Për ngjarjet tragjike dhe misterioze që kanë ndodhur në këtë zonë, quhet ndryshe edhe “Trekëndëshi i djallit”. Aty kanë humbur anije disa mijëratonëshe, avionë luftarakë të pasulmuar nga askush ( 6 të tillë të marinës amerikane), turistë të zakonshëm që kanë dalë në lundrime turistike, si dhe avionë civilë. Historitë dhe fatet e çuditshme të tyre kanë zgjuar kureshtjen e studiuesve, shkencëtarëve dhe teologëve, të cilët kanë arritur në përfundime të rëndësishme, në më të shumtën e rasteve mistike, konspirative, por edhe shkencore.

Florida, Bermuda dhe Porto Riko janë ndoshta vendet më të bukura, më të begata dhe më të lakmueshme të brigjeve të Atlantikut dhe më gjerë, por ndoshta pikërisht kjo begati, kjo harmoni, kjo larmi burimesh e ka bërë “trekëndëshin” misterioz, të rrezikshëm dhe burim fatkeqësish të pashpjegueshme.

Edhe pse shkrimi im s’ka për objekt kurrfarë hulumtimi shkencore, aq më pak teologjik. Edhe pse ndoshta brinjët e trekëndëshit që dua të trajtoj në këtë shkrim s’kanë kurrfarë përputhje me emrat e vendeve dhe fatet e popullsive të tyre, prapë se prapë, për misterin dhe fuqinë negative të këtij trekëndëshi misterioz që sjell vetëm fatkeqësi, qasja e titullit dhe trajtimit të më- poshtëm gjejnë lidhje dhe lypin angazhimin e njerëzve të shqetësuar që ta zhbëjnë “trekëndëshin djallëzor”, që sjell fatkeqësi dhe mbetet mister në vendin tonë.

“Trekëndëshi i Djallit” në vendin tim, në vendin tonë, që duhet me çdo kosto t’i thyhet njëra prej brinjëve në mënyrë që t’i prishet magjia, përbëhet nga lidershipi i maxhorancës qeverisëse, nga lidershipi i opozitës aktuale dhe nga qytetarët e vet që i ka zënë halli edhe me lidershipin e maxhorancës, edhe me lidershipin e opozitës, pra, me të dyjas brinjët e “Trekëndëshit të Djallit” pasi këtu e prapa nuk do e quaj më “Trekëndëshi i Bermudës”.

Brinja e parë e “Trekëndëshit të Djallit”, që përfaqëson lidershipin e maxhorancës në këto pesë vite ka provuar botërisht që prodhon krim, fatkeqësi, varfëri, konflikt, vrasje, drogë, ikje masive të brinjës popull, debat shterpë, politikanë të tredhur në tru, media që e dinë që po mashtrojnë, ekonomi që tkurr vetën, qeveri që mbyll shkolla dhe hap burgje, qeveri që nga mëngjesi në darkë prodhon propagandë dhe skamje, eksporton drogë dhe njerëz të dëshpëruar në tregjet e Bashkimit Europian, importon emigrantë që vijnë nga zona konfliktesh të lindjes, plehra të gjithfarëllojshme, vrasës më pagesë, pasiguri dhe krim të organizuar ndërkombëtar.

Brinja tjetër e “Trekëndëshit të Djallit”, që përfaqëson lidershipin e opozitës në këto 5 vite të keqqeverisjes së maxhorancës së majtë, ka treguar që është krejtësisht e pafuqishme dhe, akoma më keq, ajo, për asnjë moment, s’e ka demonstruar vullnetin, dëshirën dhe energjinë që i nevojitet një opozite serioze të paktën për të mos u bërë palë me brinjën tjetër të trekëndëshit të djallit, që po çmonton demokracinë dhe besimin te vlerat e saj në Shqipëri. Lidershipi i opozitës ka treguar se s’ka asnjë lidhje me perëndimin, ai ka braktisur zgjedhjet e brendshme, ai ka izoluar debatin e brendshëm dhe në mungesë të mbledhjeve të forumeve të saj të sanksionuara ne statut e ka nxjerrë debatin e brendshëm në tregun mediatik të brerë nga lideri i maxhorancës.

Lideri i opozitës është kallëzuar që mashtron, që vjedh, që s’e pranon demokracinë e brendshme, që nuk i pranon zgjedhjet e lira, që nuk i respekton institucionet dhe e shpërfillë parimësinë dhe legjitimitetin. Ai është provuar që i ka më të forta lidhjet me liderin e maxhorancës se me brinjën e tretë të “trekëndëshit të Djallit”, që janë qytetarët.

Brinja e tretë e “Trekëndëshit të Djallit” në këtë shkrim timin janë qytetarët, apo e thënë më qartë, viktima e dy brinjëve të tjera të këtij trekëndëshi magjik e djallëzor. Kjo brinjë e “Trekëndëshit të Djallit” meriton një trajtim shumë serioz dhe duhet parë në aspektin e shkencave sociologjike, ekonomike, historike. E parë në aspektin historik duhen arkitepuar grupimet ideologjike që mbështesin dy brinjët e kalbura të “Trekëndëshit të Djallit” dhe, pse kjo kërkon një studim të veçantë, mund të marrë një përgjigje të shkurtër. E majta ka 77 vite investime ideologjike, pasurore, arsimore. Tek e majta mund të kenë infiltruar 1% e së djathtës historike, ndërsa tek e djathta e re që përfaqësohet nga brinja e trekëndëshit të djallit janë importuar 30 deri në 40% nga kontingjenti i së majtës historike 77- vjeçare.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.