Basha në Prokurori: Shteti po përdoret, por nuk do shantazhohemi

“Shteti po përdoret me shpresën e dëshpëruar për të mbytur zërin e opozitës”

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - ARISTIR LUMEZI

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi thirrjen e tij në Prokurori si nisjen e rënies së regjimit kriminal, që sipas tij drejton vendin.

Ai akuzoi kreun e qeverisë se po përdor shtetin për t’i mbyllur gojën opozitës. Kreu demokrat ishte dje në Prokurori, ku u pyet rreth akuzave ndaj kreut të Grupit Socialist Taulant Balla në çështjen “Xhisela” në Fushë- Krujë dhe kërcënimit prej tij të komisarit Emiljano Nuhu. Basha qëndroi në Prokurori rreth 25 minuta, ndërsa është pyetur nga prokurorja e çështjes, Elsa Miha. Basha nuk ka dhënë asnjë detaj nga dëshmia që bëri në Prokurori, por akuzoi Kryeministrin se po bën një sulm padish ndaj opozitës. “Dy deputetë të opozitës janë thirrur sot në Prokurori; deputeti Salianji, sepse është kallëzuar nga një trafikant i dënuar droge dhe unë i kallëzuar nga një politikan bandit i lidhur me krimin. Kur regjimet e korruptuara dhe të inkriminuara janë afër fundit, faza e fundit është përdorimi i shtetit me shpresën e dëshpëruar për të mbytur zërin e opozitës dhe për të shpëtuar pushtetin e tyre të inkriminuar”, u shpreh Basha. Sipas tij, thirrja e kreut të opozitës në Prokurori nuk tregon fundin e opozitës. “Thirrja e kryetarit të opozitës në një regjim kriminal për t’u paraqitur në Prokurori, nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të regjimit kriminal”, tha Basha. Ai kishte gjatë deklaratës së tij edhe një apel për Kryeministrin Rama. “Ndaj, sot kam një mesazh të qartë për Edi Ramën dhe veglat e tij qorre në shtet, media dhe kudo: Partia Demokratike, unë dhe shqiptarët e vendosur për të larguar krimin nga politika, as nuk trembemi, as nuk shantazhohemi dhe as nuk impresionohemi nga makinacionet politike të shtetit privat të Edi Ramës, por jemi të vendosur për të vazhduar deri në fund betejën tonë për çmontimin e këtij shteti privat dhe shkatërrimin e diktaturës mafioze”, tha Basha. Padia Në 27 shtator, kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, depozitoi në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal ndaj kreut të opozitës Lulzim Basha me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, “kallëzimit të rremë” dhe “fyerjes” së qëllimshme. Në kallëzim, Balla kërkon gjithashtu procedim penal për shtetasin Emiljano Nuhu, ish- oficerin e Krujës pas denoncimit që ky i fundit ka bërë në drejtim të numrit dy të socialistëve. Balla ka kallëzuar penalisht edhe gazetarin Basir Çollaku, i cili ka realizuar intervistën gjatë së cilës Nuhu ka artikuluar akuzat e rënda ndaj Taulant Ballës. Sa për kryedemokratin Lulzim Basha, kreu i Grupit Socialist shpjegon në kallëzim se ai, sipas tij, pa kryer asnjë verifikim, me dashje direkte ka përsëritur të njëjtat akuza duke cenuar kështu interesat e ligjshme të tij dhe të shtetit njëkohësisht, që në rastin konkret kanë të bëjnë me hetimin e plotë dhe transparent të një vepre penale nga Prokuroria e Krujës, shkruan Balla.

Basha, dje pas dëshmisë në Prokurori

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.