Rivarrosen eshtrat e 573 ushtarëve grekë

Panorama (Albania) - - RRETHE -

GJIROKASTER - Është kryer në Dragot të Tepelenës ceremonia e rivarrimit të eshtrave të 573 ushtarëve grekë, të rënë gjatë Luftës Italo- Greke. Ceremonia e zhvilluar mesditën e së premtes në Manastirin e Këlcyrës, aty ku gjenden edhe varrezat ushtarake të ushtarëve grekë, ka qenë modeste. Ndryshe nga sa ishin pretendimet fillestare të palës greke, që pretendonte të gjente disa mijëra eshtra ushtarësh në këtë zonë, shifrat zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke flasin për 673 eshtra ushtarësh, bashkë me 100 që u rivarrosën në korrik. Në meshën që u mbajt pa praninë e mediave dhe kamerave, me përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, Punëve të Jashtme dhe ambasadores së Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani, nuk kanë marrë pjesë as të afërmit dhe pasardhësit e ushtarëve të rënë. Situata është e ripërsëritur, pasi korrikun e këtij viti, familjarët e të rënëve munguan në ceremoninë e rivarrimit të 100 eshtrave të ushtarëve grekë në Bularat. Të afërmit e të rënëve kanë ngritur dhe pretendimet e para në mediat greke për një proces të kryer në fshehtësi dhe pa respektuar familjarët.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.