OSBE tryezë për kanabisin, kryepleqtë: Na kërcënojnë

“Jemi mes dy zjarreve, ndërkohë që marrim vetëm 4 mijë lekë”

Panorama (Albania) - - RRETHE -

Përfaqësuesit e dy prej qarqeve më problematike për kultivimin e kanabisit, Shkodra dhe Vlora, janë thirrur në një takim të përbashkët nga prezenca e OSBE në Shqipëri.

Në takimin e mbajtur në Shkodër, drejtorja në detyrë e OSBE, Katerine Kristesashvili tha në fjalën e saj se, institucionet vendore kanë pasur mangësi të njohurive për të luftuar kultivimin e kanabisit, ndërsa bëri thirrje për eliminimin e këtij fenomeni. "Mangësia e njohurive në komunitetet vendore si dhe bashkëpunimi i dobët ndërinstitucional janë renditur si mangësitë më të mëdha për luftën ndaj këtij fenomeni. Për të adresuar këto mangësi, OSBE ka ndihmuar Shkodrën dhe Vlorën në 2018 në zbatimin e ndërgjegjësimit kundër kanabisit dhe ngritjen e planeve vendore dhe rajonale. Është e rëndësishme që përfaqësuesit e Task- Forcës të analizojnë në mënyrë të përbashkët rezultatet e dala dhe të ndajnë eksperiencën në mënyrë të tillë që të kontribuojnë në zhdukjen e qëndrueshme të kultivimit të drogës", tha ajo. Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, u shpreh se ka qenë mosbesuese ndaj Policisë, por foli për rezultate pozitive për vitin 2018. "Për 2018- n, rezultatet janë pozitive dhe situata është përmirësuar, por, nga ana tjetër, sërish grupet kriminale tentojnë të veprojnë në terren dhe kjo punë nuk duhet të ndalet", tha Ademi. Kurse, Drejtori i Policisë Shkodër, Vehbi Bushati. e quajti 2018- n si rezultati më i mirë në 20 vite në luftën antikanabis. "Besimi te Policia është rritur dhe ne kemi bërë maksimumin për të luftuar këtë fenomen, natyrisht në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, siç është Prokuroria. Ne do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të pasur rezultate pozitive dhe dua të them se 2018 ka shifrat më të mira sa i përket luftës antikanabis në këto 20 vite", deklaroi Bushati. Gjatë takimit, të pranishëm ishin edhe kryepleq. Një prej tyre, Islam Islami, kryeplak i fshatit Shkozë në Vlorë, u shpreh se kryepleqtë jetojnë nën kërcënimin e kriminelëve që merren me kanabisin, ndërsa kërkoi që kryepleqtë të kenë një pagë të rregullt dhe jo pagesë qesharake prej 49 mijë lekësh të vjetër në muaj. "Ne deri tani kemi qenë në dy zjarre, nga njëra anë Policia, që na arrestonte po nuk tregove, dhe nga ana tjetër nën kërcënimin e kriminelëve, të cilët nuk pyesin, por veprojnë dhe ju duhet të dini se ne kemi familje apo të afërm. A e dini ju se paga jonë është 49 mijë lekë të vjetër. Çfarë të bëjmë me ato para, që nuk dalin as për këpucët", tha ai.

Drejtorja e OSBE, Katerine Kristesashvili

Tryeza e takimit të zhvilluar në Shkodër

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.