Meta në Tropojë, merr pjesë në inaugurimin e shkollës "Matosh Uka"

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nisi dje një vizitë në Rrethin e Tropojës. Në këtë vizitë, Presidenti Meta shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj, ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Makoto Ito, dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Gjatë turit të tij, Presidenti Meta mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të shkollës 9- vjeçare "Matosh Uka" në fshatin Fierzë të Tropojës.

Presidenti Meta, pasi u takua me nxënësit dhe mësuesit, të cilët e pritën me këngë e valle popullore të zonës, u shpreh: "Ndihem shumë i lumtur të marr pjesë në ceremoninë e rikonstruksionit të shkollës 9- vjeçare ' Matosh Uka' në Fierzë të Tropojës. Me urimin për një vit të mbarë shkollor, jam besimplotë se këta nxënës të mrekullueshëm, duke ndjekur ëndrrat e tyre, do të jenë nesër elita intelektuale e vendit, ashtu si shumë prej të parëve të tyre, që ndër vite i kanë dhënë krenari Tropojës dhe Shqipërisë".

Më pas, Presidenti Meta mori pjesë në aktivitetin kulturor kushtuar "Kërcimeve të Tropojës në UNESCO". Nëpërmjet një postimi në rrjetin social "Facebook", Presidenti Meta u shpreh se: "Shumë nga thesaret e trashëgimisë kulturore e artistike të kombit tonë, sidomos ' Kcimet e Tropojës' nevojitet të promovohen nga institucionet tona, nga ato lokale e deri në shtetërore, për të synuar që të bëhen pjesë e trashëgimisë kulturore botërore".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.