Xhensila Seferi: Në Shqipëri bëj modelen për të shpalosur potencialin tim, fama dhe paratë janë thjesht bonus

Panorama (Albania) - - SUPLEMENT -

Një shqiptare si modelja Xhensila Seferi, ka arritur të kapë kopertinën e kalendarit italian, pasi u klasifikua ndër 10 më të mirat në konkursin “Raggaza Moda e Spettacolo”. Por, pavarësisht pjesëmarrjes në disa gara, fushata publicitare apo programe televizive, ajo preferon ta konsiderojë modën pasionin e jetës, sepse si profesion ka zgjedhur drejtësinë. Po, a ia vlen të bësh modelen në Shqipëri për pak apo aspak para, si e sheh garën virtuale të vajzave të “Instagram”- it dhe të tjera sekrete nga jeta e saj, i zbulon për “Panorama Plus”,

Njihesh si modele që duket sikur e ke më shumë pasion se profesion. Cilën do të veçoje si eksperiencën më mbresëlënëse në botën e modelingut?

Në fakt, që në fillesat e mia modelingun e kam nisur si pasion dhe jo si profesion. E kam ditur që në fillim se rruga ime do të ishte tjetër, ndaj dhe jam fokusuar te studimet për t’u kualifikuar. Mes shkollës për Shkenca Politike dhe një shkolle të dytë për Drejtësi, modelingu ishte pasioni im.

Gjatë kësaj periudhe ke qenë pjesë edhe e një kalendari në Itali. Të ka lënë shije të mirë bota e modës, si e ke përjetuar?

Çdo eksperiencë më ka shërbyer për t’u rritur artistikisht. Fushatat publicitare, daljet në ekran, kompeticionet e bukurisë më kanë formuar në modeling. Nëse do të më duhej të veçoja eksperiencën time në Itali te programi “Raggaza moda e spettacolo”, ku arrita deri te 10 finalistet për t’u bërë pjesë e kopertinës së kalendarit. Ishte tjetër ndjesi, tjetër efekt në ekran. U ndieva krenare që në një skenë italiane u fol shqip, u vlerësua edhe njëherë bukuria dhe aftësia shqiptare.

Cili është muaji apo stina që mund ta përfaqësosh më së miri me linjat e tua?

E di që prisni të them vera, megjithatë jo. Mund ta përshtas më mirë me vjeshtën. Për ngjyrën e artë, për pjekurinë dhe ngrohtësinë që kjo stinë dhe unë kemi.

Deri ku shkon guximi yt para aparatit fotografik?

Nuk besoj se ka nevojë për guxim një modele para aparatit fotografik. Tashmë edhe ka kaluar pjesa e pyetjeve "a do të zhvisheshe nudo për 1 milion euro?". Para aparatit vij sensuale dhe besoj se për këtë s’ka nevojë të jesh nudo apo e ekzagjeruar.

Të jesh modele në Shqipëri është diçka e kotë pa vlerë, siç thonë shumë modelë që e kanë provuar, apo edhe këtu mund të bësh para apo karrierë?

Varet se çfarë pikësynimesh i vë vetes kur bëhesh pjesë e saj. Ka që vijnë për famë, ka edhe që bëhen pjesë për para. Në rastin tim, s’është asnjëra. Kam zgjedhur të bëj modeling për të shpalosur potencialin tim. Nëse kjo ka sjellë mbrapsht famë apo para është veçse një bonus, jo qëllim i imi.

Zakonisht, stina e verës mund të shfrytëzohet nga të gjitha vajzat për të bërë modelen në plazh. Ti si do e komentoje këtë garë të hapur me bikini në “Instagram”?

Oh! Në “Instagram” është verë çdo ditë, madje dhe çdo natë. Jetojmë në kohën e një bote virtuale, ndaj “Instagram”- i është një media që edhe modelet e përdorin për të pasqyruar veten, edhe larg pasarelave. Nuk besoj se ka qenë garë. Kam parë femra me linja perfekte apo femra të bukura, ndaj më shumë sesa ta shihja si garë, e kam shijuar pamjen. Mendoj që si unë, ka edhe të tjerë.

Meqë ke provuar më shumë pozat para aparatit, a mendon se do ta bëje me të njëjtën thjeshtësi edhe sfilimin në pasarelë?

Mendoj se po! Madje do të thoja që pozat para aparatit s’kanë asgjë të thjeshtë. Pasarela të jep mundësinë ta shfaqësh vetësigurinë, ndërsa fotoja edhe nëse s’e ke, mund ta kamuflosh.

Të ruash elegancën duhet të vuash për të ngrënë, të kursesh para duke ngrënë më pak, apo të shpenzosh shumë për t’u ushqyer sa më shtrenjtë?

Më shumë sesa të shpenzosh për të ngrënë mirë, duhet të shpenzosh të kujdesesh për veten në të gjitha aspektet. Një femër, sidomos një femër që synon modelingun, duhet të ushqehet kujdesshëm dhe duhet të shpenzojë që të shfaqet gjithnjë e kuruar.

Nëse do të flisnim për rrezik, ti si mund të rrezikoje për të arritur famë ndërkombëtare?

Nuk i kisha menduar ndonjëherë në fakt rreziqet e famës ndërkombëtare. Besoj se do bëja të njëjtat gjëra që kam bërë deri më sot. Asnjë rrezik që do më cenonte, nuk do ia vlejë të ma kompesojë fama. Ndoshta me këtë formulë nuk do ta arrij kurrë famën ndërkombëtare, ndoshta për këtë arsye s’e kam në synimet e mia.

Ti si mendon, femra e bukur në Shqipëri adhurohet apo përçmohet e luftohet?

Nuk mjafton bukuria që të adhurohesh apo të përçmohesh. Nëse ka femra të bukura, jam e sigurt që nuk adhurohen veç për këtë fakt. Ndërsa përçmim, besoj se është një fjalë shumë e rëndë të përdoret për një femër.

Çfarë nuk do të toleroje në sjelljen e një mashkulli për të qenë i dashuri yt?

Janë shumë, jo veç një arsye. Themelorja është respekti në një marrëdhënie. Nëse kam respektin, mendoj që nuk do të shkoj në sjellje të tjera.

Ku duket zgjuarsia e një vajze bionde, kur të kërkohët të përmbysësh klishenë që është krijuar për to?

Akoma paragjykohen bjondet?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.