Zbardhen pjesë nga autobiografia e Dritëroit, Zhiti: Trinia me Migjenin e Pano Taçin

"Tre poetë të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme"

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - VISAR ZHITI Vijon...

Pikërisht sot, më 13 tetor, mediat vizive e të shkruara, kujtesa kompjuterike, etj., bëjnë me dije dhe datëlindjen e dy poetëve të njohur shqiptarë, Migjenit e Dritëro Agollit, që s'janë më në këtë jetë, ndërsa si asosacion idesh, kujtesa njerëzore ( imja) nxitet të shtojë dhe një datëlindje të tretë, të poetit të veçantë, bohemit të persekutuar, Pano Taçi, që dhe ky s'është më.

Teksa më mbërrijnë shënimet e dikurshme, botimet me këtë rast, mendoj nëse ka diçka tjetër për të shtuar. Një trini poetësh jona. Por në kohë diabolike, që morën prej saj dhe i dhanë. Si rrjedhojë dhe tre shqetësime, sipas meje. Në fillim po përkujtoj.

Migjeni, autor i shekullit XX, nuk e përjetoi diktaturën e mëpastajme, vdiq më herët, por vepra e tij nuk u ndalua nga regjimi siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë, u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm në diktaturë.

Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë dy dukuri të tjera nën diktaturë në fushën e letrave, dy fate të ndryshme poetësh, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u instalua diktatura më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u zgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI. I pari lavdërohej së tepërmi, mbahej mirë, poezitë e tij futeshin në tekstet shkollore, i dyti dënohej së tepërmi, i ndalohej poezia dhe futej burgjeve.

Pse? Mos i duheshin si të tillë sistemit? Tani, në postdiktaturë, kur po mbushen tri dekada dhe ka ndërruar sistemi, por po me ne është krijuar dhe largësia e duhur për të gjykuar të lirë letrat shqipe, klasikët e saj.

DEMONI I KRIJIMIT

13 tetori, sikur e bën mbarë të flasim për tre poetët e lindur në këtë ditë, nën shenjën zodiake të djallit, metaforikisht. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë. Kthehemi te tre poetët e sotshëm.

Pani plak, por dhe engjëlli plak e quanin Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s'e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell.

Dritëro Agolli është autor i njohur poemash e romanësh, tregimtar dhe dramaturg, patriarku i socialistëve, siç e quajnë, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me miq shumë e me lavdira e përvjetorë e me botime të shumta e luksoze.

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ' 30 dhe klasik, ndërkohë themeltar sidomos në prozën e shkurtër, i konsideruar me të padrejtë si pararendës i socrealizmit dhe i nënvleftësuar me të padrejtë më pas, po për këtë arsye, vrojtues i revoltuar i mjerimit, blasfemist si i kapluar vërtet nga djalli.

Tre poetë të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta, koha, s'është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrat shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke pasur parasysh ca parabola të tij, etj., kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, po aq i zhgënjyer në demokraci, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra, i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ' 90 e gjeti 62vjeçar boton libra të shumtë me poezi, tradicional, por i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues i avitet qiel- lit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me "poezi pornografike", të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar.

Tre poetë - një trini diabolike, në kohë diabolike, më saktë.

ELIPSET E TRE JETËVE

Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç'forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi, fat dhe fatalitet, ku nuk mund të shkëputet demoni i krijimit. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje.

Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra, bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallin amtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit. Do të desha të risjell kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, duke futur dhe ndonjë të dhënë tjetër të kohës, se sikur arrihet të kuptohet disi më mirë diçka nga realiteti i përbashkët.

1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s'e kishte ftuar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. Arsimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo- ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks "Shën Joan Teologu".

1917- Në Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte rrjedhën e historisë botërore, me ndikim fatal dhe në Shqipërinë e vogël. Lind Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare dhe disidentja e parë grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim.

1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret, Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri. Lind Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje.

1931- Ndërsa vazhdonte të bëhej kryeqyteti i ri, Tirana, pas bulevardit të madh u ndërtuan 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucionalizohej, ndërkaq në juglindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit lindi Dritëro Agolli. I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos- Aires dhe në Çikago ( e dinte përmendësh Khajamin dhe Naim Frashërin, dy poetët më të mirë në botë, sipas tij).

1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën "Skanderbeg" të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën "Illyria" prozën "Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun". Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime, por konsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës.

1936- Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja "Gutenberg" bën gati 1000 copë të librit "Vargjet e lira", por "censura ndalon qarkullimin e tyre", shkruhej në botimet e mëparshme. ( Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon dhe nuk na duket aq bindës ky fakt diabolik. Sepse Migjeni po botonte dhe po çmohej në shtypin e kohës). Në fund të vitit

përgatit librin e ri "Novelat e qytetit të Veriut".

Në Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të merrte famë botërore.

1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit mysliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar të eposit të tij "Lahuta e Malcis" dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festës kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. ( Sot nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se fjalimet e tilla i mbajnë dëndshëm pushtetarët).

1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin "San Luigi". Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij

1939- Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre pak njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencës me armë në Europë kundër djallit përbindëshëror nazifashist.

1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë...

1942- Pano Taçi, i përfshirë në Lëvizjen Antifashiste që 12 vjeç, futet në "Debatik" ( Djemtë e bashkuar, anëtarë të ideve komuniste) dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në "Bleta". Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci.

1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12- vjeçar, përfshihet në luftë, ( diku shkruhet si 9- vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan dhe lufton me armë në dorë për çlirim e vendit.

1944- Del libri "Vargjet e Lira" të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet... ( por jo shqiptarët...).

1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimore me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.

1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuar nga gjimnazi për "dashuri borgjeze", i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm të Republikës, tundohet të arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA te gjyshi. Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtarin Mitrush Kutelin. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.

1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, Djalli i Vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë "Vullnetari i hekurudhës" në gazetën "Rinia".

1951- Bomba në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte.

1952- Hapet Kinostudio "Shqipëria e re", Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, "akademinë e tij letrare", siç e quante dhe e nisin për studime në Leningrad, Sant Petërsburgu i dikurshëm.

1953- Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën "Treni i muhaxhirëve", "Gryka e Kaçanikut". E pranojnë anëtar i "Lidhjes së Shkrimtarëve", por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën "Kambanari", si reaksionare që nxit kryengritje.

1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauwer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por shumë më i zbutur. Pano Taçi në internim, me kontroll të rreptë policor.

1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë drejtimin.

1957- Hapet Universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në "Zërin e Popullit". Ribotohet i zgjeruar libri i Migjenit "Vargjet e lira" dhe dekorohet me titullin "Mësuesi i Popullit".

Visar Zhiti

Dritëro Agolli

Dritëro Agolli me të ëmën

Migjeni

Pano Taçi

Dritëro Agolli

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.