E mitura u gjet e vdekur në banesë, Policia: Është vetëvrarë

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

TIRANE – Policia e Tiranës tha dje se ka zbardhur ngjarjen e pasdites së të enjtes, ku një vajzë 13- vjeçare u dërgua e pajetë në Spitalin e Traumës. Ndonëse dyshimet paraprake flisnin për një vrasje të mundshme, që për disa dëshmitarë vijon të jetë si variant, Policia tha zyrtarisht se e mitura është vetëvrarë me armën e gjahut të të atit. “Në përfundim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor rezulton se e mitura Kasandra Brahja dyshohet të jetë vetëvrarë në banesë me armën e gjahut të të atit. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e së enjtes, ku shtetasja 13- vjeçe është shoqëruar për ndihmë mjekësore në spital nga i ati i saj, shtetasi Xhevat Brahja, ku dhe më pas ndërroi jetë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor ku në përfundim të veprimeve përkatëse hetimore dhe procedurale ( këqyrja e vendit të ngjarjes, trupit të së miturës dhe marrja e deklarimeve të familjarëve), ka rezultuar se e mitura dyshohet të jetë vetëvrarë në banesë me armën e gjahut të të atit. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut, për të cilën shtetasi Xhevat Brahja dispononte leje”, tha zyrtarisht Policia. Vajza u gjet e gjakosur rreth orës 18: 30 të së mbrëmjes nga i ati, i cili e dërgoi me urgjencë në spital, por ajo nuk mundi të mbijetonte. Në banesën që ndodhet në rrugën “Njazi Meka”, pranë Bregut të Lumit, në Tiranë, ndodheshin edhe vëllai i saj bashkë me të shoqen, të dy shurdhmemecë, që për orë të tëra e patën të pamundur të jepnin shpjegimet. Ata, bashkë me nënën e viktimës, u mbajtën gjatë natës në Polici për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, që fillimisht u dyshua të ishte vrasje. Më pas ata u lanë të lirë, pas konkluzioneve të grupit hetimor.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.