Masakra me tre të vrarë, Basha: Referendum për dënimin me vdekje

Ish- kreu i PS braktiset nga gruaja dhe 4 fëmijët. "I vrava se më fyen dhe më qëlluan në sy të bashkëfshatarëve të mi"

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - BURREL/ ALBI LALA

Autori i vrasjes së trefishtë dhe plagosjes së një tjetri në Mat nuk shfaq pendesë për masakrën e kryer.

Kujtim Koxha, ish- kryetar i PS- së në zonën ku ndodhi masakra, është shprehur në Polici se ai e kishte kryer krimin për të vendosur dinjitetin e tij para banorëve të tjerë, të cilët e kishin parë teksa atë e kishin goditur punonjësit e bashkisë, që kishin ardhur të shtronin rrugët e fshatit. "Nuk jam penduar. Ata më qëlluan dhe mua më panë edhe banorë të tjerë se si më qëlluan. Më fyen para bashkëfshatarëve të mi dhe unë s'mund ta duroja dot që ata të më tallnin më vonë, ndaj edhe shkova dhe mora armën", është shprehur në Policinë e Burrelit autori i ngjarjes së rëndë, ku mbetën të vrarë dy punonjësit e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve Mentor Hoxha, 36 vjeç, nga fshati Burgajet, Erzen Alia, 49 vjeç, nga fshati Zenisht dhe Hamit Buçi, 43 vjeç nga fshati Shëlli ku ndodhi edhe ngjarja). Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe punonjësi tjetër i bashkisë, Astrit Hani, 40 vjeç, po nga Zenishti. Mësohet se në këto tri ditë pas krimit të rëndë, Koxha është braktisur nga familja e tij. As e shoqja dhe as katër fëmijët e tij, të cilët sipas të dhënave janë të martuar të gjithë, nuk kanë ardhur ta shohin atë apo t'i sjellin ndërresa të tjera. "Duket më i qetë se ditën e ngjarjes kriminale. Të afërmit nuk kanë ardhur për ta takuar apo për t'i sjellë ushqime e veshmbathje. Për momentin duket i braktisur nga të gjithë. I është thënë se ka të drejtë të mbrohet me avokat, por Kujtim Koxha nuk ka pranuar. Ai shprehet se avokatin do ta sigurojë vetë", thanë burime nga Policia e Burrelit.

VIZITA E BASHËS

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ngushëlluar familjet e Mentor Hoxhës në Burgajet, Erzen Aliajt në Zenisht dhe Hamit Buçit në Shëlli. I shoqëruar edhe nga drejtues vendorë të Burrelit, ai ka kërkuar ndëshkim të rreptë për autorin e kësaj masakre. Pas vizitave në tri familjet e viktimave, kreu opozitës është ndalur në spitalin "Xhavit Mara" në Burrel për të parë nga afër edhe gjendjen shëndetësore të të plagosurit Astrit Hani. "Kjo ishte një ngjarje makabre. Punonjësit e bashkisë ishin në krye të detyrës. Ngushëllova familjet e Mentor Hoxhës, Erzen Alisë dhe Hamit Buçit. Ngjarja ka tronditur jo vetëm Burrelin, por gjithë Shqipërinë", u shpreh Basha. Ai theksoi më tej se vendi është më i pasigurt se kurrë. "Nga Shëlliu në Tiranë, nga Shkodra në Vlorë, sundojnë njerëzit e krimit. Në 24 orë janë vrarë pesë qytetarë. I bëj thirrje Kryeministrit të ndalë gojën dhe të ngushëllojë familjet e tri viktimave, t'u ofrojë siguri matjanëve dhe gjithë shqiptarëve", vijoi më tej Basha. I pyetur nga gazetarët nëse duhet të rikthehet dënimi me vdekje pas ngjarjeve të fundit, lideri i PD- së u përgjigj se është i gatshëm që ta shtrojë këtë pyetje në referendum, kur Partia Demokratike të vijë në pushtet. "Kjo është një çështje që u takon qytetarëve shqiptarë. Unë personalisht jam i gatshëm që këtë pyetje t'ia shtroj popullit shqiptar, qoftë edhe si referendum, në momentin që PD- ja do marrë përgjegjësinë për të qeverisur vendin". Pas vizitave në familjet e viktimave dhe në spitalin lokal, Lulzim Basha është takuar me strukturat e PD- së dhe drejtuesit vendorë, ku ka dënuar fort ngjarjen e ndodhur dhe ka kërkuar nga strukturat shtetërore ndëshkimin e rëndë të autorit të masakrës së Shëlliut.

Kujtim Koxha gjatë arrestimit

Lokali ku ndodhi vrasja e trefishtë

Basha, dje në spitalin e Burrelit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.