Meta vlerëson Hajdarin dhe Berishën: Lidhi Shqipërinë me Kosovën
HEC- et në Valbonë, "Të ruajmë ekosistemin nga projektet e shtyra nga interesat e çastit"
Presidenti Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë kulturore "Kcimet e Tropojës në UNESCO".
Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Presidenti Meta vlerësoi figurat politike që kanë dalë nga Tropoja si Azem Hajdari dhe Sali Berisha, duke u shprehur se kanë qenë ndër faktorët kryesorë të Lëvizjes Demokratike në Shqipëri. "Jam sot këtu për t'u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ' Lëvizjes Studentore'. Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Po jo vetëm ata, edhe shumë të rinj të tjerë, edhe shumë personalitete të tjera, intelektualë si Besnik Mustafaj e shumë të tjerë, ishin pikërisht nga Tropoja",- tha Presidenti. Krahas kësaj, ai u ndal edhe te ndërtimet infrastrukturore të bëra në Shqipëri, duke vlerësuar ish- Kryeministrin Berisha për ndërtimin e Rrugës së Kombit. "Ashtu sikurse nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë dhe shqiptarët do të vazhdonin të udhëtonin drejt njëritjetrit përmes Maqedonisë. Tropoja ka qenë dhe vazhdon të mbetet një krahinë me rëndësi strategjike mbarëshqiptare dhe fqinjësore", tha Presidenti.
Në vijim të fjalës së tij, Meta u ndal edhe te ndërtimi i HEC- eve në luginën e Valbonës, duke theksuar se ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar dhe, si e tillë, duhet të ruhet me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore, por edhe interesat e çastit. "Këtë ekosistem të krijuar nga natyra dhe të ruajtur si sytë e ballit nga populli ndër shekuj duhet ta ruajmë me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore po edhe interesat e çastit", u shpreh Presidenti.