Paketa antishpifje, Rama: Gjysmagjelat e majmur s'meritojnë as 1 supë burgu

Maxhoranca shqyrton mundësinë për hartimin e një ligji të veçantë kundër shpifjes. Ja çfarë parashikohet në Kod

Panorama (Albania) - - PANORAMA - TIRANE

Propozimi i Kryeministrit Edi Rama për të miratuar një paketë ligjore antishpifje do të bëhet me një ligj të veçantë. Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se maxhoranca do ta sjellë këtë nismë si një ligj të posaçëm dhe jo një amendament në Kodin Penal apo në Kodin Civil.

Po pse paketa antishpifje vjen në këtë lloj forme? Arsyeja kryesore është sepse Partia Socialiste nuk ka votat e nevojshme për të miratuar një nismë të tillë ligjore si një amendament në Kodin Penal apo në Kodin Civil. Për të ndryshuar këto kode duhen së paku 84 vota pro. Aktualisht, Partia Socialiste së bashku me deputetët e pavarur dhe ata të PDIU- së zotërojnë 78 kartonë në sallën e Parlamentit, pra, 6 vota më pak se sa duhet. Kësisoj, për të miratuar një paketë ligjore antishpifje, socialistët janë të detyruar që të propozojnë një ligj që kërkon shumicë të thjeshtë ose shumicë absolute votash në sallën e Kuvendit.

QËNDRIMI I KRYEMINISTRIT

Ditën e djeshme, Kryeministri Rama vijoi me prezantimin e paketës së tij antishpifje në rrjetet sociale. Këtë herë, ai u ndal te dënimi që do të parashikohet në ligj në rastet e shpifjes kundër ministrave, deputetëve apo funksionarëve të tjerë publikë. Sipas Ramës, nuk do të ketë dënime penale me burgim, por vetëm dëmshpërblim financiar. "Shpifja dënohet me burg në 25 vende të BE! Gjysmagjelat tanë të majmur nga xhepat e nga trutë, që kanë bërë karriera politike e mediatike, duke sharë e akuzuar pa prova, s'meritojnë as 1 supë burgu! Ata thjesht do të paguajnë gjobën e ndotjes për çdo fëlliqësi që u jashtënxjerr goja", shkroi Rama sot në rrjetet sociale.

PROPOZIMET E MËPARSHME

Në deklaratat e mëparshme në rrjetet sociale, Kryeministri Rama ka dhënë detaje për paketën antishpifje. Sipas tij, çdo deputet i Partisë Socialiste dhe çdo ministër i qeverisë do të denoncojë rastet e shpifjes, ku do të kërkojë dëmshpërblim financiar. Sipas Ramës, paratë që do të arkëtohen nga proceset gjyqësore do të shkojnë për fondin e edukimit. "Çdo lekë i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjuterë apo materiale mësimore. Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bëjnë Kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit. Fondi i Edukimit do të ketë një bord drejtues, të zgjedhur me propozimin dhe miratimin e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar e qeverisë", ka sqaruar Kryeministri.

Kryeministri Edi Rama

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.