“Xhisela”, Rexhep Rraja i kërkon lirinë Gjykatës së Apelit në Tiranë

Panorama (Albania) - - PANORAMA -

Djali i deputetit të PS- së, Rraja, Rexhep Rraja kërkon lirinë nga burgu. I vendosur nën masën e sigurisë "arrest me burg", me kërkesë të Prokurorisë së Krujës, Rexhep Rraja i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Tiranë ku kërkon një masë sigurimi më të lehtë. Djali i deputetit është arrestuar për veprën penale të përndjekjes ndaj shtetases Xhisela Maloku. Çështja në fjalë bëri mjaft bujë, teksa një oficer i Policisë, që kishte në dorë çështjen e kallëzimit të Malokut, pretendon se është kërcënuar nga njerëzit e Rrajës dhe nga deputeti i PS- së, Taulant Balla, që të mbyllte çështjen. Bëhet fjalë për Emiljano Nuhun, i cili kërkon azil në një vend të BE- së. Nga ana tjetër, Prokuroria e Krujës vazhdon hetimet për rastin, edhe pse Maloku është tërhequr nga kallëzimi që ka bërë ndaj ish- të dashurit, Rexhep Rraja. Në intervistat publike, ajo ka thënë se kallëzimin e ka bërë nga xhelozia. Megjithatë, Prokuroria nuk është e bindur, pasi ekzistojnë dyshime se vajza mund të jetë kërcënuar për të tërhequr kallëzimin. Për këtë shkak, një tjetër oficer Policie në FushëKrujë është nën hetim disiplinor nga SHÇBA- ja. "Panorama" mëson se kërkesën për lirim nga burgu të Rexhep Rrajës do ta shqyrtojë në Apelin e Tiranës gjyqtarja Shpresa Beçaj. Kërkesa është bërë që më datën 8 tetor, ndërsa Rraja është arrestuar më 30 shtator. Dosja po hetohet nga e njëjta prokurore, që mori në fillim kallëzimin e referuar, Mirela Kapo. Ndërkohë që çështja ka prekur edhe politikën. Opozita ka akuzuar deputetin e PS- së, Balla, se ka kërcënuar oficerin e Policisë, Nuhu. Deputeti i PS ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës ndaj kreut të opozitës për "shpërdorim detyre" dhe "shpifje". Ditën e premte, kreu i PD- së, Basha, u thirr në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegime në lidhje me deklaratat e tij, duke e cilësuar thirrjen e organit të akuzës si tentativë për t'i mbyllur gojën opozitës.

Rexhep Rraja

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.