Apeli i Metës: Pa Gjykatë Kushtetuese jemi pothuajse pa Kushtetutë
"Nismat apo edhe denoncimet e opozitës të jenë sa më të mirëfaktuara. Çdo veting tjetër do të ishte i tepërt"
Presidenti Ilir Meta, gjatë një interviste të dhënë në emisionin "5 Pyetje" të gazetarit Ilir Babaramo në" Report TV", komentoi aktualitetin politik në vend.
I pyetur nga gazetari, Presidenti Meta ngriti shqetësimin e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese si edhe kërkoi një bashkëpunim ndërmjet forcave politike për zgjidhjen e ngërçit të krijuar mbi zbatimin e Reformës në Drejtësi. Krahas kësaj, Meta u ndal edhe tek akuzat politike duke kërkuar që ato të jenë më të mirëfaktuara që mos të shtrihen në kohë, në mënyrë që të mos cenohet besueshmëria e publikut.
Për ju si kryetar shteti, cili është perceptimi për kriminalitetin aktualisht?
Me rëndësishme është ajo që mendojnë qytetarët. Kuptohet që na duhet shumë punë për të pasur besim edhe më të fortë tek institucionet ligjzbatuese, pasi nuk është ndonjë gjë e re ta them se në zona të caktuara të vendit ndihet shqetësimi i qytetarëve apo sipërmarrësve përsa i takon garancisë te funksionimi i shtetit ligjor në raport me ' të fortët' apo me njerëzit e krimit. Së dyti, është tepër e rëndësishme që edhe opozita të jetë racionale, që do të thotë, se nismat apo edhe denoncimet të saj të jenë sa më të mirëfaktuara, me qëllim goditjen e këtyre dukurive, parandalimin e tyre dhe jo thjesht zgjedhjen e tyre si një mënyrë për të dëmtuar qeverinë apo institucionet, te të cilët ajo nuk ka besim.
Kur do të ketë Shqipëria një prokurore ose prokuror të përgjithshëm të zgjedhur sipas ndryshimeve kushtetuese, jo të përkohshëm?
Kemi disa elementë të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi, të zbatimit të saj dhe krijimit të institucioneve të reja, ku mungesa e çdo institucioni në parashikim me ndryshimet kushtetuese është problematike. Më problematike është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale sepse një vend që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, pothuajse nuk ka Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe respektimit të të drejtave kushtetuese.
Ju pak më parë thatë se një nga shqetësimet kryesore tuajat është vakanca ose mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese...
Nuk është vetëm shqetësimi im. Duhet të kemi një Komision të Emërimeve në Drejtësi funksional, ndërkohë që ai që kishim mund të kishte funksionuar prej kohësh dhe natyrisht që, për të dalë nga një situatë, që shpeshherë duket edhe si ekstraligjore, mendoj që një dialog ezaurues i harmonizimit të ndryshimeve kushtetuese me legjislacionin përkatës dhe me situatën konkrete është i domosdoshëm për të shuar çdo paragjykim dhe për të hedhur hapa të shpejtë në krijimin e institucioneve dhe në krijimin e tyre
A keni një koment për vetingun në tërësi, si po shkon si proces?
Vetingu është një element i rëndësishëm i reformës dhe është shumë e rëndësishme që ai gjithashtu të ecë shpejt, por gjithmonë me cilësi dhe besueshmëri larg çdo hapësire për standarde jo të njëjta apo të dyfishta në raport me individë të caktuar, por pa dyshim që është vetëm një element i Reformës në Drejtësi.
Veting është termi që po bëhet kryefjala e ligjërimit politik që prej gati 2- 3 vjetësh, madje po shtrihet deri në strukturat e Policisë.
Çdo veting tjetër do të ishte i tepërt në kuptimin e ngjashmërisë me këtë proces, pasi cilido që do të rezultonte me probleme të ligjit apo të abuzimit me detyrën, do të kishte të bënte me një drejtësi me integritet, me një drejtësi të besueshme dhe me një drejtësi ndëshkuese.
Ndërkohë opozita, ose më saktë Partia Demokratike, ka kërkuar që edhe deputetët, edhe kryetarët e bashkive, edhe ministrat të përfshihen në veting.
Një përgjigje të përafërt sapo e dhashë, pra, në rastin e vetingut në Polici. Çdo lloj vetingu kudo duhet të ishte i mirë, por jo veting në çdo gjë dhe të humbasim vëmendjen nga përqendrimi. Kjo nuk do të ndihmonte asnjë proces tjetër për të qenë vërtetë i besueshëm, por do të krijojë një kakofoni pafund të fjalës veting dhe mund të sillte edhe një inflacion dhe një rënie të besimit në tërësi te procesi i vetingut.
Ju kthyet për herë të dytë ligjin e famshëm të "Teatrit", që opozita e quan ligji "Fusha" në bazë të emrit të kompanisë së projektit.
Për çështjen e "Teatrit", unë e kam ndjekur debatin sepse ka qenë tepër publik dhe mjaft i nxehtë dhe jam përpjekur që të jem sa më racional në argumentet e mia. Ka pasur më shumë se 9 arsye për kthimin e këtij ligji një javë më parë, megjithatë unë jam përpjekur për të qenë sa më racional, duke u fokusuar te 9 më të rëndësishmet apo të paevitueshmet në trajtimin apo në reflektimin ndaj tyre.
Përsa u takon qëndrimeve të mia ndaj qeverisë apo ndaj bashkisë, dua t'ju siguroj se me Bashkinë e Tiranës kemi një bashkëpunim shumë të mirë, sidomos sa i takon "Aleancës për Dhurimin e Gjakut", ku kjo bashki ka luajtur një rol tepër aktiv apo dhe për çështje të tjera. Dhe përsa i takon qeverisë për gjithë çështjet e tjera bashkëpunimi ka qenë konstruktiv, por unë në këto vendime nisem vetëm nga Kushtetuta, nga ligji dhe nga bindjet e mia.
Një miliard euro parashikohen projektet e ardhshme, që do të zbatohen në këtë formë. Ju e shikoni të rrezikshme këtë formë financimi për financat publike apo është një mënyrë efikase?
Përsa i takon partneritetit publik- privat në tërësi, besoj se është e rëndësishme të dëgjohen edhe shqetësimet e Bankës Botërore, shqetësimet Fondit Monetar Ndërkombëtar. Këto janë institucione tepër të besueshme dhe që nuk kanë asnjë interes përveç stabilitetit të Shqipërisë dhe përmirësimit të performancës së saj makroekonomike.
Së fundmi, Kryeministri ka thënë se do të hartojë një ligj përmes të cilit në fund të dhjetorit do të mbyllë të gjithë lojërat e fatit. Por nëse e sjell tani këtë nismë si projektligj. Ju do ta dekretoni?
Në tërësi duhet të them që është detyra e të gjithëve ne të dekurajojmë këto lloj aktivitetesh, që po ndikojnë negativisht në shoqërinë tonë, në familjen shqiptare, duke u kthyer në një burim borxhesh, divorcesh, konfliktesh, në një burim të dhunës familjare ndaj grave, ndaj fëmijëve, në një shqetësim të madh social.
Kthehemi te çështja e Marrëveshjes së Detit, përse duhet Gjykata Kushtetuese për ta certifikuar këtë marrëveshje?
Sikurse ju jeni në dijeni dhe gjithë opinioni publik për këtë marrëveshje me Greqinë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka miratuar një vendim të veçantë, që në fakt është një punim shkencor. Nuk është thjesht një vendim i thjeshtë, që ngarkon me përgjegjësi çdo institucion të vendit, por në kuadrin e përgjegjësive të përbashkëta është një çështje madhore, sepse ka të bëjë me kufijtë, me sovranitetin, me integritetin territorial të vendit. Por, natyrisht unë e kam theksuar se është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme për hir të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje dhe të vetë arsyeve, për të cilat kjo marrëveshje nuk u ratifikua nga Parlamenti i kaluar, që në momentin e miratimit në Parlament, të kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese. Përndryshe, çdo situatë tjetër nuk mendoj se do të kontribuonte në atë qëllim që ka kjo marrëveshje, pra të zgjidhë këtë çështje njëherë e mirë dhe të forcojmë raportet e miqësisë dhe partneritetit me Greqinë si një vend mik.
Në optikën tuaj, kjo marrëveshje që duket se është e përfunduar dhe pritet që vetëm të formalizohet, është më e mirë sesa ajo që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese?
Nuk mund të shpreh asnjë opinion të caktuar, sepse nuk mund të bëj as ekspertin, as gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese.
"Çdo veting tjetër do të ishte i tepërt në kuptimin e ngjashmërisë me këtë proces, pasi cilido që do të rezultonte me probleme të ligjit apo të abuzimit me detyrën, do të kishte të bënte me një drejtësi me integritet, me një drejtësi të besueshme dhe me një drejtësi ndëshkuese".