Meta, takim me Presidentin e Pakistanit, “Mbështetje në luftën kundër terrorizimit”
Në vijim të vizitës së tij në Stamboll të Turqisë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Republikës Islamike të Pakistanit, ARif- Ur- Rehman Alvi. Gjatë takimit, Meta dhe Alvi biseduan për intensifikimin e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe ndërmjet dy vendeve si edhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Pakistanit. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Presidencës, bëhet me dije se Presidenti Meta i uroi Presidentit Alvi suksese në detyrën e re si President i Pakistanit dhe e siguroi atë për vazhdimin e forcimit të bashkëpunimit tradicional midis dy vendeve tona, veçanërisht atyre në fushën ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare. Krahas kësaj, pjesë e bisedës ishte edhe ekstremizmi dhe terrorizmi. Zyra e shtypit e Presidencës bën me dije se Meta ka inkurajuar Presidentin e Pakistanit në angazhimin e tij në luftën kundër terrorizmit. “Presidenti Meta inkurajoi Presidentin Alvi në angazhimin e tij kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, për t’i dhënë Pakistanit një rol të rëndësishëm për paqen në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Krahas kësaj, të dy Presidentët u dakordësuan për të shkëmbyer vizi- ta në nivelin më të lartë shtetëror. Meta ndodhet në Turqi me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në kuadër të ceremonisë së inaugurimit të aeroportit të ri të Stambollit. Inaugurimi i aeroportit u bë në të njëjtën ditë me 95- vjetorin e themelimit të Republikës së Shqipërisë, ku Presidenti Meta u takua me Presidentin e Republikës së Turqisë, Erdogan. Aeroporti i ri i Stambollit do të jetë aeroporti më i madh në botë. Për ndërtimin e tij janë shpenzuar rreth 10.5 miliardë euro. Punimet për ndërtimin e aeroportit filluan në vitin 2014 dhe tanimë ka përfunduar faza e parë prej katër fazave të ndërtimit dhe aktualisht ka një kapacitet prej 90 milionë pasagjerësh në vit.