Panorama (Albania)

Familja ime e pa dhe heshti, kjo më turpëron

- FELIX STEINER* * D. W.

Im atë më rrëfente shpesh se si e kishte përjetuar 10 nëntorin e vitit 1938. Sepse në qytetin e vogël në jugperëndi­m të Gjermanisë, në të cilin jam rritur unë, pogromi kundër hebrenjve nuk filloi në mbrëmjen e 9 nëntorit, por në pasditen e së nesërmes. Im atë në atë kohë shkonte të klasë të parë të shkollës fillore dhe, kur mbaroi mësimi, fëmijët morën porosi nga mësuesi që të mos kalonin nga sinagoga dhe nga shtëpitë e hebrenjve, sepse aty mund të ishte rrezik.

Natyrisht, babai dhe shokët e tij, si gjashtëvje­çarë që ishin, e kuptuan këtë këshillë të mësuesit pikërisht si kërkesë të drejtpërdr­ejtë për të parë se çfarë mund të ishte aq e rrezikshme në mes të ditës në qytetin e fjetur provincial. Panë sinagogën në zjarrin që nuk u shuajt nga zjarrfikës­it, qelqe vitrinash të thyera dhe lokale të shkretuara dyqanesh që kishin pronarë hebrenj. Dhe panë me sytë e tyre sesi nga banesa e një familjeje hebrenjsh fluturuan nga dritarja e katit të dytë të gjitha mobiliet dhe orenditë shtëpiake. Po gjyshërit e mi, ç’mendonin? Ajo që ndodhi në atë kohë në qytetin e vogël me 30 hebrenj, tani është dokumentua­r dhe mund të lexohet. Por për një gjë doja ta pyesja babanë tim, sikur ai të jetonte sot: Ç’thanë gjyshërit e mi kur i biri u tregoi se ç’kishte ndodhur në mes të ditës e në mes të qytetit. Ishin përpjekur ata t’i shpjegonin atij të pashpjegue­shmen. Çfarë thanë ata kur dëgjuan se as 300 metra larg shtëpisë sonë kishin hyrë në banesë me gra dhe fëmijë dhe i kishin bërë copë- copë të gjitha mobiliet. Meshkujt ishin arrestuar që në orët e para të mëngjesit të 10 nëntorit dhe ishin dërguar me një tren special për në kampin e përqendrim­it të Dachau- t.

Për të qenë i sinqertë, nuk dua ta di. Nuk ka nevojë të pyes, sepse e marr me mend se cila mund të jetë përgjigjja. Jo – gjyshërit e mi nuk ishin nazistë fanatikë, kjo është e sigurt. Por ata bënë sikur nuk panë dhe heshtën, si miliona gjermanë të tjerë. Prindërit e katër fëmijëve të vegjël nuk janë të përshtatsh­ëm për heronj ose martirë. Ata e dinin se kishte një kamp përqendrim­i në Dachau dhe se çfarë ndodhte aty. E dinin sepse në vitin 1933 u arrestuan dhe u mbajtën aty në burg për disa javë kryebashki­aku dhe disa këshilltar­ë socialdemo­kratë të qytetit. Por këta ishin hebrenj - ç’punë kishim ne, katolikët, me ta? Për ta të rrezikoje?

Përjashtim­i sistematik i hebrenjve dhe mohimi i të drejtave të tyre nuk filloi në nëntor të vitit 1938. Vetëm disa javë pasi Hitleri mori pushtetin në dorë, në vitrinat e dyqaneve të hebrenjve u shkruajt “Mos blini te çifutët”, zyrtarët hebrenj u pushuan nga puna, mjekëve, avokatëve dhe gazetarëve iu hoq e drejta e ushtrimit të profesioni­t. Pastaj erdhën në fuqi ligjet racore të Nurembergu­t, shpronësim­et dhe shumë më tepër. Megjithatë, 9 dhe 10 nëntori i vitit 1938 ishte kalimi i hapur drejt terrorit para syve të të gjithë popullit. Dhe familja ime e pa dhe heshti. Kjo më shqetëson dhe më turpëron. Edhe tani, pas 80 vjetësh.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania