Bylykbashi kërkon arrestimin, Dako: E kam banorin tim, por do e padis

Panorama (Albania) - - POLITIKE -

Kërkesën e vazhdueshme të PD- së për arrestimin e Vangjush Dakoës këtë të shtunë e përsëriti deputeti i Durrësit, Oerd Bylykbashi. Në një dalje për mediat, nënkryetari i Grupit të PD- së kujtoi se faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim, ai duhet të jetë në burg. “Dosja 339 provon modelin e marrjes se pushtetit nga Edi Rama nëpërmjet shkëmbimit të pasurive publike te bandat, për votat e blera apo grabitura nga këto banda për llogari të tepsisë së Edi Ramës. Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë. Çdo ditë në liri, ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga Kryeministri i vendit, Edi Rama. Krimi elektoral ka bllokuar rrotacionin demokratik dhe qeverisjen e shtetit të së drejtës”, tha Bylykbashi. Edhe për Bylykbashin, si për çdo deputet demokrat që ka kërkuar arrestimin e tij, ai paralajmëroi padi për shpifje. Dako deklaroi se rasti i Bylykbashit ishte i veçantë pasi ai ishte edhe banor i Durrësit, por e paralajmëroi deputetin e PD- së se zgjedhjet do t’i fitojë sërish PS. “Koha kur PD i merrte votat në Durrës me figura serioze qytetare dhe me burgaxhinj me leje 10- ditore në fshat, ka vdekur. Figurat qytetare të PD- së kanë kohë që votojnë Vangjush Dakon dhe Oerdi e di mirë! Sepse nuk kanë si i shkojnë mbrapa Oerdit që s’merr as votat e shtëpisë së vet dhe e mbante Sokol Olldashi i shkretë si sekretar nga mbrapa. Sa takime bëj unë në 24 orë, Oerdi, që fle gjumë në drekë, s’ka për t’i bërë dot as në 24 vjet politikë! Më vjen keq se e kam banor timin, po s’kam çfarë i bëj, do e fus në listën e gjyqeve me vemjet e tjera të Lul Peshkut dhe po ia përsëris: Harroje Durrësin si politikan Oerd!”, reagon Dako.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.