Shqipëria shpall ‘ non grata’ 52 ekstremistët grekë, Lleshi: M ose merrni urtësi nëpër dobësi

“Grupe të ardhura nga Greqia shpërdoruan normën shqiptare të hapjes së dyerve në zi, e kthyen në shfaqje ekstremizmi”

Panorama (Albania) - - POLITIKE - JUXHIN MUSTAFARAJ

Shqipëria ka vendosur të shpallë të padëshiruar për të hyrë në territorin shqiptar 52 shtetas grekë, që lëshuan thirrje ekstremiste gjatë ceremonisë mortore të Konstantinos Kaçifas në fshatin Bularat.

Zv. ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, në një dalje për mediat i konsideroi të papranueshme dhe provokime të rrezikshme thirrjet kundër shqiptarëve. “Në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacenuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; duke e konsideruar të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, prej individëve e grupeve të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të patolerueshme ekstremizmi, ka vendosur: Shpalljen persona të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”, tha Lleshi. Zv. ministri i Brendshëm kërkoi që askush të mos e marrë urtësinë e shqiptarëve për dobësi, pasi çdokush që do ta bëjë këtë, do të përballet me pasoja. “Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj. Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”, theksoi Lleshi. Por, pas këtij vendimi të Ministrisë së Brendshme, ka reaguar Ministria e Jashtme në Greqi, e cila i ka kërkuar Shqipërisë të mos rëndojë marrëdhëniet dypalëshe me të tilla qëndrime. “Në këtë moment delikat presim prej Shqipërisë të largohet prej veprimeve që rëndojnë marrëdhëniet dypalëshe. Presim sqarime të bazuara për shpalljen masive të 52 grekëve “non grata” prej autoriteteve shqiptare. Mbetemi të vendosur në ndërtimin e marrëdhënieve të besimit dhe të njëjtën gjë presim edhe prej fqinjëve tanë”, përfundon deklarata e Ministrisë së Jashtme greke”.

Zv. ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.