Thirrje antishqiptare, lirohen 12 ekstremistët grekë të shoqëruar

Panorama (Albania) - - POLITIKE - ( në rreth)

GJIROKASTER- Policia e Gjirokastrës do të procedojë në gjendje të lirë 12 të shoqëruarit e mbrëmjes së 8 nëntorit, pas ngjarjes së Bularatit. Të 12 të shoqëruarit, 6 nga të cilët janë shtetas grekë dhe 6 të tjerë minoritarë, kanë dalë nga ambientet e Policisë dje rreth orës 02: 00. Pasi u pyetën nga Policia e Gjirokastrës dhe agjentë të Antiterrorit të ardhur nga Tirana, janë liruar pa u përmbushur orari zyrtar prej 10 orësh. Personat e proceduar janë: Andrea Kurti, Thoma Stefo, ish- anëtar i Këshillit të Përgjithshëm DEEEM Omonia, Kristo Duci, ish- punonjës i Bashkisë Dropull, Haralamb ( Babis) Karathano, kryetar i Asociacionit Qendror të Epirit të Veriut, Thanas Papas, Pirro Panajoti, Dhimitër Kostandinos, Nina Dinos, Kostantandinos Gizolis, Anestis Panajotis, Jorgos Varelas dhe Athanasis Papas. Ata akuzohen për “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, “Shpërndarje apo futje të materialeve, shkrimeve e simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit” si dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”. “Gjaku na thërret të djegim shqiptarinë, zjarr kundër qenve shqiptarë”, “Duhet të dini se këto janë tokat tona, jemi në Vorio Epir këtu”, “Bularati është Greqi, zhdukuni shqiptarë prej këtej”, “Konstantinos Kaçifas je i pavdekshëm, na prij”, ishin disa nga thirrjet më të rënda kundër shqiptarëve në ditën e varrimit të Konstantinos Kaçifas. b. m

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.