Urdhri: Policët “barkderra”, shërbim në vende të padukshme

Vendimi me 19 pika u firmos nga zv. drejtori i Policisë së Tiranës

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Zv. drejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, ka firmosur një urdhër me 19 pika për të gjithë punonjësit e Policisë në kryeqytet, në zbatim të porosisë së ministrit të Brendshëm të komanduar, Sandër Lleshi.

Ai u kërkon policëve të marrin masa për zbatimin e detyrave dhe porosive të zv. ministrit të Brendshëm, kryesisht sa i takon performancës në punë. E ndër porositë, për të cilat duhen marrë masa, duket se është edhe një "këshillë" për punonjësit e Policisë mbipeshë, që në urdhër etiketohen edhe si "barkderra", të cilët duket të shmangin shërbimet në vende të dukshme. Menjëherë ai ka firmosur dy urdhra, që kryesisht shërbejnë për të rregulluar disiplinën. Urdhri i parë lidhet me personelin e Ministrisë së Brendshme, por edhe me punonjësit e Policisë së Shtetit, për të evituar çdo dalje jashtë orarit të punës. Në urdhrin e parë, Sandër Lleshi kërkon që të gjithë punonjësit e Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit nuk duhet të frekuentojnë baret, restorantet, njësite tregtare apo ndonjë tjetër mjedis publik jashtë institucionit dhe pa ndonjë arsye pune. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e festave apo të fatkeqësive familjare, madje edhe këto raste vetëm me lejen e eprorit. Ndërsa urdhri i dytë lidhet me protestat e fundit në Durrës për ndotjen e ajrit, djegien e mbeturinave në landfille, por edhe në disa qytete të tjera, si në Tiranë, Vlorë, Kukës e Dibër.

URDHRI

Me porosi të ministrit të Brendshëm të komanduar, zv. drejtori i rendit në Policinë e Tiranës, Dhimitraq Ziu, kërkon nga ana e punonjësve të Policisë që të merren masa për zbatimin e 19 detyrave dhe porosive. Duhet të kontrollohet paraqitja e jashtme e punonjësve të Policisë në detyrë dhe jashtë saj. Të kon- trollohet uniforma që të jetë e rregullt, e pastër dhe e unifikuar. Në urdhër thuhet se ndalohet futja në lokal e punonjësve të Policisë me uniformë, si gjatë kohës së punës, ashtu edhe jashtë saj. Urdhërohet që të raportohet çdo ditë në mëngjes, në orën 08: 20, mbi evidentimet e ndotjes së mjedisit, në çdo moment të konstatimit. Gjithashtu, kërkohet disiplinë në punë nga strukturat e Policisë vartëse. Kërkohet disiplinë në punë dhe zbatim i Kodit të Etikës nga çdo punonjës Policie, si dhe mbajtja e të gjitha pajisjeve të punonjësve të Policisë për kryerjen e shërbim- it. "Punonjës Policie mbipeshë ( barkderra), të shmangen nga shërbimet në vende të dukshme", thuhet në pikën 8 të këtij urdhri. Ndërsa kërkohen masa për bllokimin e zonës së ish- Bllokut, ku veç shërbimeve të rendit, të planifikohen edhe shërbime civile për krimet. "Të kontrollohen të gjithë personat që kanë armë me leje mbi zbatimin e masave të sigurisë në banesë. Të kontrollohen subjektet që kanë leje për lëndë plasëse dhe të evidentohen lokalet e natës. Të kontrollohen personat dhe mjetet për armëmbajtje pa leje", theksohet në urdhrin e Ziut.

Faksimile e urdhrit të zv. drejtorit të Policisë së Tiranës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.